Fshati shqiptar merr një lajm të mirë pas më shumë se një dekade e gjysmë

Shqipëria

Fshati shqiptar merr një lajm të mirë pas më shumë se një dekade e gjysmë

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 20:13
Fshati Fushë-Thanë

Pas fshatrave Gjinovec dhe Val në Bulqizë, kësaj here është fshati Fushë-Thanë në njësinë administrative Komsi në Bashkinë e Matit që i rikthehet energjia pas 16 vitesh.

Në këtë fshat para vitit 1990 kanë qenë 25 familje.

Gjatë trazirave të vitit ’97, këtij fshati iu vodhën telat e transmetimit të energjisë elektrike, duke bërë që shumë banorë të largoheshin, e të tjerët që qëndruan mbetën në errësirë të plotë.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka investuar për këtë fshat, duke shtruar 3.6 kilometra linjë të tensionit të mesëm dhe të ulët me një vlerë prej 8.5 milion lekë të rinj.

Një banor i këtij fshati pas rikthimit të energjisë elektrike, thotë se edhe ata që kanë ikur do të rikthehen, pasi mungesa e energjisë ka qenë arsyeja e vetme që banorët kanë braktisur fshatin.

Ndërsa vetë Ibrahim Dedja po investon në këtë fshat për të mos u larguar asnjëherë:

Ibrahim Dedja: Ky fshat pa energji ka 16 vjet. U bë e mundur tani një investim jo i pakët për këtë fshat që ka pasur gjithsej 25 shtëpi para ’90. Si rezultat i lëvizjes demografike lëvizën nëpër vende të ndryshme, si të thuash u braktis. Tani pas ardhjes së energjisë mendohet se mund të kthehen sepse është një vend prodhues, është një vend që mund të mbahet blegtori dhe bujqësi. Për ne si banorë u bë mirë. Ndihemi të kënaqur me investimin.

OSHEE ka nisur një valë investimesh në të gjithë qarkun e Dibrës, duke bërë të mundur përmirësimin e ndjeshëm të rrjetit dhe uljen e nivelit të humbjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat