Importi i mbetjeve, Berisha: Kryeministri shkelmoi veten. Rama: Ti nuk je në metro

Shqipëria

Importi i mbetjeve, Berisha: Kryeministri shkelmoi veten. Rama: Ti nuk je në metro

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 14:49
Berisha e Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar tradhti kombëtare miratimin e ligjit të mbetjeve javën e kaluar në Parlament. Në fjalën e tij në seancën e sotme, Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për pazare korruptive që i hapin rrugën importit të mbetjeve të dëmshme në vendin tonë.

“E ke vendin në shtyllën e turpit të kombit. Çdo gjë e trillon dhe e mashtron. U atribuon korifenjve të mendimin mendime dhe citate që nuk i kanë thënë kurrë. Çështja e plehrave është kapitale për një vend. Ka të bëjë më shumë se çdo gjë me sëmundjet, epidemitë, jetën e fëmijëve të moshuarve dhe qytetarëve në tërësi. Ky zotëri që e konsideronte akt tradhtie ligjin që lejonte futjen e mbetjeve jeshile, sot bëhet avokat i mbetjeve dhe ndryshon ligjin. Tani autorizimin e jep ministri dhe jo Këshilli i Ministrave si dikur. Gënjeshtari ka vetëm një aleat, njeriun naiv. Si ka mundësi që ky njeri që quante tradhti kombëtare futjen e plehrave, që detyroi 60 mijë socialistë të firmosin referendumin, që e quante vepër të mafias, i lëpin të gjitha, i kapërdin dhe shkelmon mbi veten e tij. Mundësia është vetëm një: 4 milionë euro ryshfet në valixhe. Dhe kjo është vetëm dora e parë”, u shpreh Berisha.

Berisha iu përgjigj ashpër një reagimi nga vendi të deputetit socialist Eduart Shalsi.

“Ti Shals as në kazan nuk e ke vendin. Zonja kryetare, nxirre në kazan atë”, tha ai.

Ndërsa duke u kthyer nga kryeministri Rama, deputeti demokrat tha se qytetarët e kanë humbur besimin.

“Ku ke be ti mor zotëri. A i ndalove në vitin 2013? Si u futën në Shqipëri 330 mijë tonë mbetje? Kush të beson ty? Nuk ka shqiptar që të beson ty më”, tha ai.

Berisha tha se ka reflektuar lidhur me ligjin e propozuar gjatë qeverisjes së tij për importin e mbetjeve. “Dal me një rishqyrtim të ri të vendimit tim. Kam reflektuar, duke konstatuar atë që ndodhi në vitin 2014 në dogana”, tha Berisha.

“Nuk jam kurrë më për import plehrash. Vendet që u krijohet mundësia të eksportojnë plehra, janë vende fatlume. Ato janë gati të paguajnë sasi kolosale për t’i hequr nga vendi i tyre. Të kanë paguar me thasë, se ndryshe nuk mund ta bëje ti këtë veprim”, tha ai duke iu drejtuar Ramës.

Rama: Ju e latë vendin plot me plehra

Kryeministri Rama iu përgjigj paraardhësit të tij me akuza. Rama tha se qeverisja e drejtuar nga Berisha la pas një Shqipëri plot me plehra. Rama tha se shembulli më i mirë që ilustron këtë është qyteti i Elbasanit.

“Sali, fole gjatë, por do përqendrohem vetëm te disa. Unë bie dakord me ty që aleati i gënjeshtarit është njeriu naiv. Këta kanë qenë aleatët e tu. Ti nuk je në metro. Janë të gjitha lehtësisht të verifikueshme. Më vjen mirë kur ti flet me raste specifike me realitete si Elbasani, si Divjaka. Mund të bëhet fare lehtë verifikimi i fjalëve tua duke folur atje. Ishte zotimi im përpara gjithë elbasanasve që sapo të vijmë në qeveri do ta heqim nga mesi i qytetit malin me plehra. Shko shiko sot, aty ku ti le një mal me plehra, po ndërtohet një park. Është pastruar plotësisht.

Inceneratori ka kapacitet aq sa janë mbetjet. Është një impiant jo siç thua ti. Mos ço këta, se këta shikojnë me sytë e tu. Shko vetë atje. Në Elbasan është zgjidhur një problem kolosal. Në tetë vjet në qeveri e le malin e plehut të rritej në qytet”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat