Shqiptarët, të parët për marrjen e nënshtetësisë italiane

Shqipëria

Shqiptarët, të parët për marrjen e nënshtetësisë italiane

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 18:15
Ilustrim

Instituti i Statistikave të Italisë, ISTAT ka publikuar të dhëna lidhur me numrin e qytetarëve, të cilët jetojnë në Itali dhe vijnë nga vende, që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Sipas raportit të ISTAT, emigrantët me origjinë shqiptare renditen në vendin e parë, për numrin më të lartë të marrjes së nënshtetësisë italiane përgjatë vitit 2015.

Janë gjithsej 35 134 emigrantë shqiptarë, që gjatë vitit 2015 kanë marrë nënshtetësi italiane. Pas shqiptarëve, me numrin më të lartë të marrjes së shtetësisë italiane, vijnë marokenët. (32 448). Aktualisht në mbarë Italianë jetojnë gjithsej  3 931 133 emigrantë ekstra komunitarë. Emigrantët shqiptarë vijnë të dytët për nga numri gjithsej, pas atyre nga Maroku. Janë 482 959 emigrantë shqiptarë të ligjshëm në territorin italian,  510 450 emigrantë nga Maroku dhe 333 986 emigrantë me origjinë nga Kina. Numri i emigrantëve shqiptarë në territorin italian ka shënuar një rënie të lehtë, në krahasim me një vit më parë, kur ishin gjithsej 498.419 emigrantë shqiptarë në Itali.

Gjithashtu, në raport thuhet se Italia ka lëshuar më shumë leje për çështje azili ose humanitare, për emigrantët nga vende të tilla si Nigeria, Pakistani dhe Gambia. ISTAT vë në dukje se 42 për qind e nënshtetësive të lëshuara janë për fëmijët nën 20 vjeç, të cilët janë fëmijë emigrantësh, rezidentë për një kohë relativisht të gjatë në shtetin italian dhe se pasi kanë mbushur 18 vjeç, kanë zgjedhur nënshtetësinë italiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat