OSBE: Ka ndikimet radikale dogmatike edhe në Shqipëri

Shqipëria

OSBE: Ka ndikimet radikale dogmatike edhe në Shqipëri

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 20:13
Bernd Borchardt

“Bashkë kundër ekstremizmit të dhunshëm”  është aktiviteti i organizuar sot në Elbasan nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Myftininë e Elbasanit.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt deklaroi se ekstremizmi i dhunshëm nuk justifikohet dhe as nuk duhet parë si i lidhur me asnjë lloj race, etnie, kombësie, apo besimi fetar. Ai nxit përçarjen, marxhinalizimin, paragjykimet, diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të tjera të njeriut. 

Bernd Borchardt: Shqipëria dhe, në fakt, Elbasani kanë një traditë të tolerancës fetare për të cilën janë krenarë. Ky është një tipar dallues i Shqipërisë, me të cilin ky vend krenohet. Pavarësisht kësaj, kemi parë se ndikimet radikale dogmatike kanë mbërritur edhe në Shqipëri, duke ndikuar te njerëzit kundër traditave të tyre.

Unë e kuptoj se të rinjtë ndonjëherë kanë nevojë për një lloj ushqimi shpirtëror, për një besim fetar apo për orientime të tjera. Por ata nuk duhet të përfundojnë në internet në faqet që ofrojnë radikalët apo që ndjellin të ashtuquajturit profetë të rinj radikalë të besimeve të vjetra. 

 Kjo është fusha e parë e ndërhyrjes që mund të identifikohet, tha me tej Borchardt,  dhe ku familjet, gratë dhe udhëheqësit fetarë, kulturorë dhe edukativë mund të luajnë një rol kyç parandalues duke nxitur respektin dhe mirëkuptimin reciprok, pajtimin dhe bashkëjetesën në harmoni të kulturave të ndryshme.

Ata duhet të informohen dhe të trajnohen që të jenë në gjendje të dallojnë shenjat e para të radikalizimit të rrezikshëm të djemve, vajzave, anëtarëve të komuniteteve të tyre e kështu me radhë. Ne të gjithë mund të mësojmë nga mësimet e nxjerra në shtete të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, pa qenë nevoja “të shpikim rrotën nga e para”.

 Sipas ambasadorit te OSBE-se grupet e rrezikuara, sidomos të rinjtë, duhet të ekspozohen ndaj bashkëmoshatarëve të tyre ndryshe, atyre u duhen mundësi për të parë reflektimet e të tjerëve dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Gjithashtu, ata mund të kenë nevojë edhe për një orientim të ndryshëm fetar apo shpirtëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat