Përplasja/ Kupola e Gjyqësorit, votë pa opozitën. Ku ndahen PS dhe PD

Shqipëria

Përplasja/ Kupola e Gjyqësorit, votë pa opozitën. Ku ndahen PS dhe PD

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 08:37
ilustrim

Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë do të kalojë sot në Kuvend pa konsensusin e opozitës. Pavarësisht negociatave të zhvilluara në prezencën e ekspertëve amerikanë të OPDAT, përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës nuk arritën të gjenin një zgjidhje konsensuale për pikat që ndaheshin në ligj, shkruan “Panorama”.

Votimi i projektligjit për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë do të përmbyllë paketën e Drejtësisë, pjesë e së cilës ishin shtatë ligje. Drafti u tërhoq nga votimi me vendim të shumicës seancën e kaluar, në mënyrë që të gjendej një konsensus me përfaqësuesit e opozitës.

Të kontaktuar nga “Panorama”, përfaqësuesit e PD-së në Komisionin e Reformës në Drejtësi kanë pohuar se nuk është gjetur dakordësia me shumicën për kalimin me konsensus edhe për këtë ligj.

Ndonëse negociatat mes palëve mund të vijojnë edhe përgjatë ditës së sotme, duket se edhe ky ligj, njësoj si edhe katër ligjet e tjera të paketës së Reformës në Drejtësi, do të kalojnë vetëm me kartonat e maxhorancës.

Në faqen e Parlamentit ligji është përfshirë në axhendën e seancës së sotme plenare, që nënkupton se në fund të seancës ligji do të futet në votim. Me këtë ligj do të krijohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

PËRPLASJA

Ngërçi mes palëve duket se sërish ngeli pa një zgjidhje konsensuale lidhej me nenin 3 të këtij projektligji. Ky nen parashikon mënyrën se si zgjidhen anëtarët e KLP dhe KLGJ. Këto dy këshille do të kenë në total 11 anëtarë në përbërje secili dhe 6 anëtarë do të zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve e prokurorëve, dhe 5 të tjerë do të vijnë nga radhët e avokatëve, juristëve, noterëve, pedagogëve dhe shoqëria civile.

Por në projektligj është parashikuar që kandidaturat për anëtarët jomagjistratë të filtrohen nga institucionet dhe shoqatat e tyre përkatëse. Konkretisht, anëtarët që do të zgjidhen nga radhët e avokatëve, do të zgjidhen nga Parlamenti me propozim të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe me rekomandimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët që do të përfaqësojnë noterët, do të propozohen nga Dhoma Kombëtare e Noterisë me rekomandimin e KED.

Anëtari që do të vijë nga radhët e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë, do të zgjidhet nga Parlamenti me propozim të Mbledhjes së Posaçme të Rektorëve dhe Dekanëve. Anëtari që do të përfaqësojë Shkollën e Magjistraturës, zgjidhet nga Këshilli Drejtues i kësaj shkolle me rekomandim të KED, kurse anëtari që do të vijë nga radhët e shoqërisë civile, do të zgjidhet nga Kuvendi me propozimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Por për këtë pikë demokratët kërkojnë që anëtarët jogjyqtarë që do të kandidojnë për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, atë të Prokurorisë dhe Këshillin e Emërimeve, të mos votohen nga Shoqata e Avokatëve apo Dhoma e Noterëve. Për demokratët, kandidatët duhet të jenë të lirë të kandidojnë.

PAKETA E REFORMËS NË DREJTËSI

1.PROJEKTLIGJI
“Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, 88 vota pro

2.PROJEKTLIGJI
“Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, 122 vota pro

3.PROJEKTLIGJI
“Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, 86 vota pro, 1 abstenim

4.PROJEKTLIGJI
“Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, 86 vota pro, 1 abstenim

5.PROJEKTLIGJI
“Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, 86 vota pro, 1 abstenim

6.PROJEKTLIGJI
“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, 86 vota pro, 1 abstenim

7.PROJEKTLIGJI
“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot në votim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat