Nishani nderon me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Italisë

Shqipëria

Nishani nderon me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Italisë

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 15:06
Foto nga ceremonia

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, priti në një takim të veçantë Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Presidenti Nishani, i sapo kthyer nga një vizitë zyrtare në Itali, e vlerësoi këtë takim si pjesë të agjendës shumë intensive dhe në nivelet më të larta të bashkëpunimit mes dy vendeve. Shkëmbimi i këtyre vizitave, tha ai, eshte, shprehje e qartë dhe shumë domethënëse e nivelit të shkëlqyer e partneritetit të veçantë strategjik të bashkëpunimit dypalesh.

Kreu i Shtetit përshëndeti kontributin personal të znj. Boldrini në ndihmë të popullit shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht përgjatë viteve 1997-1999, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve. Gjithashtu, ai vlerësoi edhe rolin e dhënë në përgjithësi nga Parlamenti italian në mbështetje të politikave të bashkëpunimit dhe të proceseve të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane, ku sigurisht znj. Boldrini ka luajtur një rol të veçantë.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë krizës së refugjatëve dhe implikimit të saj në politikat dhe sigurinë e Evropës, si dhe domosdoshmërisë për të ridimensionuar sensin e solidaritetit së pari mes vendeve të Bashkimit Evropian por edhe të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit përshëndeti gjithashtu vendimin e marrë mes drejtuesve të të dy parlamenteve për të arritur një marrëveshje ndërinstitucionale për forcimin e bashkëpunimit dhe të koordinimit mes tyre, në funksion edhe të mbështetjes së afrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit me Bashkimin Evropian.presidenti-nishani-pret-kryetaren-e-dhomes-se-deputeteve-te-parlamentit-italian-laura-boldrini-1

Pas takimit, Kreu i Shtetit në një ceremoni të veçantë i akordoi, me sugjerim të Kryetarit të Kuvendittë Shqipërisë, dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në çaste të vështira për kombin shqiptar gjatë viteve 1997-1999 si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore të Shqipërisë: në Kukës, Has, Tropojë si dhe në Kosovë; për bashkëpunimin e suksesshëm dhe shembullor me autoritetet vendore si dhe ato ndërkombëtare të UNHCR-së, në përballimin e pasojave katastrofike të krizës së të shpërngulurve shqiptarë, të cilët u shpëtuan nga spastrimi etnik i regjimit të Milosheviçit; si dhe për kontributin e çmuar në përparimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në atë të dimensionit parlamentar, të cilat përfaqësojnë denjësisht modelin e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy fqinjëve në brigjet e detit Adriatik dhe Jon”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat