Manjani në kongresin e SYRIZA-s: Parti për t’u marrë shembull

Shqipëria

Manjani në kongresin e SYRIZA-s: Parti për t’u marrë shembull

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 12:49
Ylli Manjani

Në cilësinë e përfaqësuesit të LSI-së, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka marrë pjesë këto ditë në kongresin e SYRIZA-s, partisë që drejton koalicionin qeverisës në Athinë.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Manjani shprehet se alternativa e majtë e kryeministrit grek, Aleksis Cipras po funksionon.

Më pas ai shton se modeli i kësaj force politike duhet të ndiqet edhe nga partitë e tjera të majta. “SYRIZA një parti e re për t’u marrë shembull! Alternativë reale e të majtës moderne. Suksese punimeve të kongresit te dytë të saj!”, shkruan në “Facebook” Manjani.

“E majta moderne e shekullit te ri që nuk resht së mbrojturi njerëzit në nevojë dhe nuk pranon asnjë pazar me dinjitetin e njeriut! Integrimi i shtresave apo grupimeve sociale pa dallim në shoqërinë greke është filozofia politike e drejtimit aktual. Me këto parime e me këtë filozofi Greqia nën drejtimin e kryeministrit Cipras kaloi dallgën financiare më të madhe të kohës moderne! Nuk ka përfunduar ende, por Greqia duket në rrugë të mbarë. Reforma të thella, por me dinjitet! Nxitje e biznesit në shërbim të ekonomisë kombëtare, por trajtim dinjitoz për të varfrit dhe të pamundurit! Arsim të brezit të ri nëpërmjet një politike arsimore pa diskriminim!”, shkruan ministri i Drejtësisë.

“Jetojmë në një kohë kur elitat politike në shoqërinë globale janë shkëputur ndjeshëm nga realiteti njerëzor. Shoqëria po polarizohet gjithnjë e më shumë, pavarësisht rënies së barrierave tradicionale! Mënyra më e “sukseshme” e të bërit politikë është populizmi! Në këto kushte reforma numër 1 duhet të jetë reforma politike. Na duhet një politikë përfaqsuese dhe jo polarizuese! Një politikë e thjeshtë dhe jo që komunikon “thjeshtë”! Një politikë që ngushton dallimet duke garantuar dinjitetin njerëzor!”, vijoi ai.

Sipas tij, bashkëpunimi dhe dialogu i përhershëm janë mjetet më të suksesshme të të bërit politikë. “Vendimet konsensuale janë domosdoshmëri për rritjen e besimit tek politika. Edhe kur nuk jemi dakord, respekti për kundërshtarin është detyrë. Qëllimi është udhëheqja e shoqërisë drejt mirëqenies. Mirëqenia kërkon punë. Puna bën ekonominë. Detyra e politikës është të krijojë klimën më të mirë të mundshme për të bërë ekonomi. Në veçanti e majta Evropiane është e çoroditur dhe pa shumë alternativa. E fundit alternativë e suksesshme ishte ajo e Toni Blair”, shtoi Manjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat