Kodheli: Forcat Speciale shumë shpejt në misionet në kuadër të NATO-s

Shqipëria

Kodheli: Forcat Speciale shumë shpejt në misionet në kuadër të NATO-s

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 14:01
Forcat e Armatosura të Shqipërisë

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë festuar 18 – vjetorin e krijimit të Batalionit të Forcave Speciale.

Në ceremoninë e organizuar në mjediset e këtij batalioni në Zall-Herr, morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetët të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ushtarakë të lartë e mjaft të ftuar.

Fillimisht të pranishmit u njohën me mjetet, armatimet dhe pajisjet që kjo njësi elitë e FA ka në përdorim, dhe më pas efektivët e këtij batalioni, të ndihmuar edhe nga helikopterët e Forcës Ajrore, kryen një sërë veprimesh luftarake duke treguar aftësitë dhe kapacitetet e tyre.

Në fjalën e saj të mbajtur me këtë rast, ministrja Kodheli përshëndeti efektivët e këtij batalioni dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet, duke e konsideruar krijimin e Batalionit të Forcave Speciale, si një çast të rëndësishmëm për Forcat tona të Armatosura.

Më pas ministrja Kodheli përmendi angazhimet kryesore të këtij batalioni, që nga patrullimi i kufirit verilindor shqiptar gjatë Luftës së Kosovës, te angazhimi në misionet e NATO-s në Afganistan, te ai në Irak, dhe deri në misionin e Bashkimit Evropian në Çad.

Gjithashtu  Kodheli solli në vëmendje edhe angazhimet e Forcave Speciale brenda vendit. “Keni mbështetur strukturat e Policisë së Shtetit për vendosjen e rendit kushtetues në shumë zona e ngjarje të turbullta të fillim viteve 2000. Por keni vepruar me vendosmëri edhe në kuadër të emergjencave civile”,- tha ministrja Kodheli.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli nuk la pa përmendur as dëshmorin e atdheut, kapiten Feti Vogli, i cili siç tha ajo “dha jetën për një botë më të sigurt e për një të ardhme më të mirë për të gjithë.”
Duke folur për sfidat e reja të sigurisë, rreziqet ndaj sigurisë euro-atlantike, ministrja Kodheli i konsideroi rreziqe në kufijtë e hapësirës sonë të përbashkët. “Në kuadër të Aleancës më të madhe ushtarake në botë, po përgatitemi çdo ditë për të ruajtur vlerat më të mira të njerëzimit: lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Edhe ju, ushtarakë të Batalionit të Forcave Speciale, shumë shpejt do të përfaqësoni me dinjitet Shqipërinë në misionet në kuadër të NATO-s.”- e mbylli fjalën e saj  Kodheli.

Batalioni i Forcave Speciale është një njësi elitare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e ngarkuar me operacione të veçanta në kohë lufte dhe kryesisht misione kundër-terrorizmit në kohë paqeje.

Gjatë 18 viteve të ekzistëncës së tij, Batalioni i Forcave Speciale ka kaluar transformime të mëdha në kuadrin e formimit operacional, modernizimit dhe në kuadër të përshtatjes së taktikave dhe teknikave të reja.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat