Presidenti i kthen Kuvendit, ligjin për Dhomat e Tregtisë

Shqipëria

Presidenti i kthen Kuvendit, ligjin për Dhomat e Tregtisë

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 11:02
Bujar Nishani

Presidenti Bujar Nishani vendosi dje më 19 tetor të rikthejë për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë një ligj të shumëdebatuar, i cili synonte të detyronte të gjitha bizneset aktive në vend të anëtarësoheshin me detyrim dhe të paguanin një kuotë anëtarësimi në rrjetin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Dekreti i Presidentit argumenton se ligji në fjalë shkel kushtetutën sa i përket parimit të organizimit të lirë të qytetarëve si dhe përbën në vetvete një taksë private mbi të gjitha bizneset, pavarësisht nëse këto biznese marrin apo jo shërbime në shkëmbim të kësaj takse. Ligji “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, të Ndryshuar, rikthente anëtarësimin e detyrueshëm dhe pagesën e një kuote që varion nga 1 mijë lekë për personat fizikë deri në 100 mijë lekë për personat juridikë dhe qe kundërshtuar ashpër nga shoqata të tjera biznesi si Dhoma Amerikane e Tregtisë, të cilat kryejnë efektivisht të njëjtin rol me atë të Dhomave të Tregtisë.

Sipas relacionit të dekretit për kthimin e ligjit, ai bie ndesh me nenin 46 të Kushtetutës ku shkruhet: “Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm”. Sipas Presidentit, kjo klauzolë e Kushtetutës nënkupton se kushto që nuk dëshiron, ka gjithashtu të drejtë të mos organizohet dhe se për këtë arsye, ligji në fjalë, është antikushtetues. Në vitin 1994, të njëjtat institucione u organizuan me një ligj tjetër por me të njëjtin qëllim. Me zhvillimin e organizatave të tjera të biznesit, dhoma e tregtisë pushoi së funksionuari si një institucion përfaqësimi.

Në vitin 2008, kërkesat e organizatave të tjera, përfshirë Dhomën Amerikane të Tregtisë, e bindën qeverinë që të hiqte anëtarësimin me detyrim të biznesit në Dhomat e Tregtisë dhe ta linte biznesin të zgjedhë nëse dëshiron apo jo të anëtarësohet dhe të paguajë kuotë. Por në fillim të këtij viti, qeveria shqiptare propozoi rikthim të anëtarësimit me detyrim. Varianti i parë i propozimit të qeverisë, i linte dorë të lirë dhomave të përcaktonin kuotat e anëtarësimit ndërsa gjatë diskutimeve në Kuvend u vendos që kuotat të përcaktoheshin që në ligj. Ligji mori 69 vota nga PS dhe LSI ndërsa opozita votoi kundër ose nuk mori pjesë në votim. Kuvendi do të duhet ta miratojë ligjin sërish, por kësaj here nevojiten 71 vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat