Beqaj: Më shumë autoambulanca për urgjencën e Gjirokastrës

Shqipëria

Beqaj: Më shumë autoambulanca për urgjencën e Gjirokastrës

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 09:20
ilustrim

Më shumë autoambulanca do të jenë në shërbim të pacientëve në Qarkun e Gjirokastrës, dhe kjo, falë investimeve që do të kryhen për automjete por edhe për shtimin e personelit të urgjencës, çka do të mundësojë edhe funksionimin me kapacitet të plotë të këtij shërbimi.

Garancia për mirëfunksionimin e këtij shërbimi është dhënë nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë prezantimit të projektit per riorganizimin e Shërbimit të Urgjencës në Gjirokastër.

Me investimet që janë realizuar dhe ato që do të vijojnë -ka pohuar ministri Beqaj- do të bëhet e mundur rritja e numrit të automjeteve, të cilat do të jenë në funksion të banorëve të zonave të ndryshme, duke filluar nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje.

Po kështu, prani të autoambulancave dhe ekipeve të mjekëve do të ketë edhe në zonat e populluara apo në qendrat e punës, zonat ku qytetarët kanë banimin e përhershëm apo punën e përditshme, apo siç njihet në gjuhën teknike, “permanent settlement area”.

Sepse aty ku jetojnë njerëzit, pritet të merren edhe thirrjet për urgjencë, dhe po aty, duhet ti përgjigjemi me shërbim.

Beqaj: “Me të njëjtën flotë ne propozojmë këtë skemë të re”, u shpreh Ministri Beqaj, duke shtuar se, “do të vendosim në Memaliaj, në Poliçan, do të vendosim në Dropull, dhe praktikisht, me hartën e re që propozohet për vendndodhjen e autoambulancave, të paktën nga ora 7 e mëngjesit e deri në 10 të darkës, në mënyrë që të ketë një mbulim edhe më të mirë për t’iu përgjigjur thirrjeve. Ndërkohë që këtij shërbimi i shtohen 13 infermierë, 8 shoferë dhe 1 kordinator në Qarkun e Gjirokastrës”.

Me sistemin e ri, nga 1 autoambulancë funksionale për 38 mijë banorë, arrijmë te 1 për 22 mijë, duke siguruar mbulim më të plotë dhe cilësor në këtë qark. Por ndërkohë, një tjetër risi për zonën e Gjirokastrës ështe se gjatë periudhave kur pika doganore e Kakavijës ka mbigarkesë qarkullimi emigrantësh, është parashikuar të ketë një autoambulancë në dispozicion të rasteve të ndryshme të urgjencës.

Beqaj: “Vendodhja e autoambulancave do të afrohet me një pikë ku ne kemi sot një qendër shëndetësore. Sepse s’mund të lemë personelin në autoambulancë 14 orë vetëm në makinë. Dhe padyshim, në momente piku do të kemi dhe qasje tjetër. Kur kemi radhë të mëdhaja këtu në kufi, në 3-4 momente të vitit, sigurisht do të rrimë atje”.

Sipas kreut të Shëndetësisë, shpërndarja e autoambulancave në disa pika do të bëjë të mundur jo vetëm ofrimin e shërbimit në një kohë më të shpejtë, por edhe shkurtimin e kohës së mbërrijes në spital.

Duke iu referuar edhe një sërë rasteve, Ministri Beqaj u ka bërë apel qytetarëve të kërkojnë shërbimin e urgjencës, pasi në shumë raste transporti me automjete personale është problematik, duke shkaktuar dëmtime serioze tek pacientët.

Por, kreu i shëndetësisë nuk harroi të përmendë edhe një herë se i gjithë stafi që do të jetë në shërbimin e urgjencës do të jetë në funksion të shërbimit.

Beqaj: “Nga 1 janari, minimalist shoferi do bëjë edhe barrelistin. Kush do punojë aty, madje dhe më shumë, shoferi do të dijë të ndihmojë edhe infermierin me çantën e tij. Ti vejë dhe një maskë, në qoftë se do dojë të bëjë këtë punë”.

Riorganizimi i Shërbimit të Urgjencës ka filluar në disa qarqe të vendit, duke ofruar kështu një shërbim më të shpejtë per pacientët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat