Grushtet e kërcënimet trembin delegacionin francez, si ikën nga Kuvendi?

Shqipëria

Grushtet e kërcënimet trembin delegacionin francez, si ikën nga Kuvendi?

Më: 18 nëntor 2016 Në ora: 09:55
Delegacioni francez

Deputetët e Parlamentit shqiptar me sjelljen e tyre dje bënë që delegacioni i Asamblesë parlamentare franceze i pranishëm në sallë të largohet “me vrap” nga Kuvendi.

Konflikti në Parlament degjeneroi në goditje me grusht të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nga kryetari i Grupit të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

Gjithçka nisi me një kërkesë të ish-kryeministri Sali Berisha për të replikuar në Kuvend, kërkesë që iu pranua nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, por kjo e fundit përshëndeti praninë në Kuvend të delegacionit francez të kryesuar nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Elisabeth Guigou. Pasi demokratët dhe socialistët duartrokitën prezencën e miqve francezë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, rendi të zërë foltoren për të replikuar me deputeten e PD-së, Albana Vokshi. 

Por ndërkohë ish-kryeministri Berisha ishte drejtuar për të mbajtur fjalën. Në këtë moment, kryetari i Grupit të PD-së ka kërkuar nga Beqaj që të largohet nga foltorja, por ministri refuzoi duke thënë se e kishte ai radhën. Kjo bëri që Edi Paloka me vrull të sulej drejt Beqajt në tentativë për ta larguar me forcë nga foltorja, duke e goditur në bark. “Ik qërohu nga këtu, o kokrra e hajdutit”, iu drejtua Paloka Beqajt, duke e goditur. 

Efektivët e Gardës kanë ndërhyrë për të parandaluar përplasjen më të dhunshme, ndërkohë që deputetët e tjerë të PD-së rrethuan ministrin. Por kjo sjellje shtangu përfaqësuesit e delegacionit francez, të cilët, pas këtij akti, u larguan menjëherë nga salla e Kuvendit. Valentina Leskaj e ndërpreu seancën për disa minuta, por konflikti mes deputetëve vazhdoi edhe pasi median e larguan nga salla. Mësohet se Kryeministri Rama u është drejtuar demokratëve, duke iu thënë se me sjelljen e tyre u turpëruan para ndërkombëtarëve. Ndërkohë që Edi Paloka është shprehur se socialistët “nuk duhet të vazhdojnë të mbrojnë hajdutin”, duke iu referuar ministrit Beqaj. Pasi situata u çtensionua, nënkryetari i Grupit të PSsë, Taulant Balla, njoftoi depozitimin e kërkesës për të përjashtuar Palokën për 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Konflikti tjetër lindi po për marrjen e fjalës. 

Deputeti Flamur Noka zaptoi foltoren duke mos e lënë Kryeministrin Rama të marrë fjalën. “Nuk ka për të folur njeri këtu përveç Sali Berishës”, u shpreh Noka, duke e penguar kryeministrin të flasë. Edhe ky gjest detyroi për dy herë rresht ndërprerjen e seancës, si dhe bëri që Valentina Leskaj t’i japë dy vërejtje Flamur Nokës, duke e përjashtuar nga salla me “karton të kuq”.  Edhe për Nokën do të vendosë Byroja e Kuvendit për masën e ndëshkimit prej 10 ditësh. Noka u lagua nga salla vetëm kur mori konfirmimin se fjala iu dha Sali Berishës dhe jo Edi Ramës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat