Krichbaum ndez politikën shqiptare, Rama-Basha fajësojnë njëri-tjetrin

Shqipëria

Krichbaum ndez politikën shqiptare, Rama-Basha fajësojnë njëri-tjetrin

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 10:34
Edi Rama, Majlinda Bregu, Lulzim Basha

Deklarata “bombë” e lëshuar nga deputeti gjerman, Gunther Krichbaum, këtë të enjte, se nuk ka çelje të negociata të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka ndezur politikën shqiptare, ku liderët kryesorë të politikës po fajësojnë njëri-tjetrin sa i përket këtij paralajmërimi, që e zhvendos çështjen e negociatave, pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Kështu, pas deklaratës së deputetit gjerman, kryeministri Edi Rama tregon me gisht kryetarin e Partisë Demokratike, si dhe gjyqtarët si shkaktarët e vërtetë të pengimit të integrimit. Në replikë me kryeministrin, kreu i opozitës, Lulzim Basha thotë se Rama duhet t’i lërë përrallat me armiq imperialistë.

Në një reagim në faqen e tij në “Facebook”, Basha thotë se vendi po zbrazet çdo ditë, ndërsa korrupsioni është në nivele alarmante. “Lëri përrallat me armiq imperialistë. Mijëra familje vuajnë për bukën e gojës, shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në Ballkan, vendi po zbrazet e të papunët shtohen çdo ditë, maturantëve ua dogje ëndrrat për arsim, studentët po lënë shkollën prej tarifave te rritura, fermerët nuk i ngop dot me përralla për kredi, shëndetësinë e çove ne kolaps. Krimi, droga dhe korrupsioni i kanë zënë rrugën vendit. Këto janë hallet e shqiptarëve e jo armiqtë imagjinarë që zbulon nga dhoma e vizatimeve.

Është ora e të vërtetës”, shkruan Basha. Pak pas qëndrimit të Bashës, kryeministri aludon se deputeti gjerman është porositur nga PD-ja për bllokuar Shqipërinë, ndërsa i bën thirrje të zhbllokojë Vetting-un. “Lulzim, mos kap skutave deputetë të huaj për të sharë e për të bllokuar Shqipërinë, po lexo rekomandimin e qartë të BE dhe zhblloko Vetting-un!”, shkruan kreu i qeverisë në faqen e tij në “Facebook”. Basha zhvilloi një takim me krerët e PDsë në rrethe ku tha se bota dhe Europa po jep alarmin për drogën dhe krimin në Shqipëri. “Realiteti i krimit, korrupsionit tashmë është kuptuar dhe po theksohet nga gjithë Europa.

Mediat dhe politikanët e Europës po flasin hapur dhe pa dorashka. Ky realitet që shqiptarët e përjetojnë çdo ditë tashmë po vë në rrezik integrimin e vendit. E shohim e prekim, është fakt që e dimë të gjithë, ka vetëm një njeri që nuk e sheh këtë realitet dhe i fshihet këtij realiteti. Ky person fatkeqësisht është kryeministri Rama”, u shpreh Basha. Kreu i opozitës iu përgjigj edhe akuzave të disa deputetëve të majtë se deputeti i Bundestagut gjerman Krischbaum ishte i ndërmjetësuar nga PD dhe se nuk përfaqësonte qeverinë gjermane kur tha se vendit tonë do t’i çelen negociatat pas vitit 2017. Ligji i Vetting-ut u dërgua nga PD-ja në Gjykatën Kushtetuese e cila i kërkoi mendim Komisionit të Venecias. Procedura e ndjekur mban pezull zbatimin e reformës në drejtësi.

Reagimet

Për kryetaren e Komisionit të Integrimit dhe deputeten e PD-së, Majlinda Bregu, nuk ka asgjë të re në deklaratën e Krischbaum duke i dalë kështu në mbrojtje versionit të qeverisë. Kjo pasi sipas saj zgjedhjet e lira vitin e ardhshëm si dhe dekriminalizimi ishin kushte të padiskutueshme paracaktimit të një date për hapjen e negociatave. “Përveç atyre që nuk kuptojnë fare çfarë do të thotë procesi i negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, mund të prisnin që në dhjetor të kishte një konfirmim për datë çelje negociatash para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Për të mbërritur tek zgjedhjet ne nuk mund të shkojmë pa zbatuar ligjin e dekriminalizimit. Të gjitha këto dhe zbërthimi i 5 prioriteteve të thëna dje nuk janë asgjë më shumë se sa ajo që ishte në progres raport.

Por që dëshmojnë edhe njëherë se në vendimin që do të jetë në Këshill në dhjetor ky do të jetë humori ose qëndrimi i vendeve anëtare kryesisht. Rrugë të mbarë kryeministrit në Gjermani të hënën, do ta shoh bashkë me ju në televizor”, deklaroi Bregu. Ndërsa ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha është shprehur optimiste për vendimin që pritet të merret në dhjetor, pavarësisht “Jo”-së paralajmëruar nga përfqësuesi i CDU-CSU-së në Tiranë. “Në këtë rast ne kemi një deklaratë politike dhe unë e quaj të pavend në fakt për të komentuar një deklaratë e kujtdo deputeti, të cilësdo parti, jo vetëm në Gjermani, por edhe në vendet e tjera të BE, të cilat janë retorikë me të cilat ne jemi mësuar, sepse politika ka edhe retorika të tilla”, theksoi Gjosha.

Merkel pret Ramën 

Fati i çeljes ose jo të negociatave varet nga kancelaria gjermane Angela Merkel, e cila do të presë më 28 nëntor në Berlin, kryeministrin Edi Rama. Pikërisht në këtë takim do të flitet për procesin e integrimit, ku Merkel do të japë fjalën e saj nëse do ti çelet drita jeshile ose jo Shqipëri për sa i përket negociatave për anëtarësimin. Zyrtari i CDU-CSU-së, Krichbaum ka paralajmëruar se kancelarja gjermane nuk mund të veprojë pa një vendim të Bundestagut. Mbi këto zhvillime mes aksit Tiranë-Berlin, Dojçe Vele shkruan se “debati që ndezi deklarata e Krichbaumit në Tiranë lidhet edhe me vizitën e pritshme të kryeministrit, Edi Rama në Berlin, më 28 nëntor. Nëse takimi i Edi Ramës me kancelaren Merkel do të sjellë ndonjë të re më pozitive për Shqipërinë, se deklaratat e forta të Gunther Krichbaum, kjo mbetet të pritet”.

Meta në Gjermani 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka vijuar vizitwn e tij zyrtare nw Berlin edhe gjatw ditës sw premte ku prit nga kreu i Komisionit të Jashtëm të SPD, Niels Annen, njëkohësisht Zëdhënës për Politikën e Jashtme të Grupit Parlamentar të SPD në Bundestag. Nw kwtw takim Meta dhe Annen vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta gjermanoshqiptare në të gjithë nivelet. Annen u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në disa vende evropiane, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një opsion i hapur dhe i drejtë, ndaj avancimi përmes rrugëtimit realist të Ballkanit dhe veçanërisht i Shqipërisë drejt BE-së ka një rëndësi strategjike për gjithë Evropën. “Ne këtu në Bundestag i kushtojmë vëmendje rajonit tuaj dhe jemi të përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë”, u shpreh Annen.

Deputeti austriak: Rama të zgjidhë problemin e kultivimit të drogës

Pas deklaratave të Deputetit gjerman Gunther Krichbaum se Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave pasi nuk ka përmbushur 7 kushte, një tjetër zyrtar europian ka kritika për vendin tonë. Deputeti Michael Hammer (PPA), shef i shoqatës parlamentare të miqësisë Austri¬-Shqipëri shprehet pozitivisht për rekomandimin e Komisionit Europian për të filluar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, por thekson se problem kryesor mbetet kultivimi dhe trafiku i kanabisit, për të cilin qeveria Rama duhet të gjejë zgjidhje. “Këto bisedime do të fillojnë kur të përmbushen disa premisa e kushte.

Në përgjithësi shohim zhvillime pozitive në Shqipëri sidomos me reformën në drejtësi të votuar nga të gjitha partitë politike, por edhe probleme akute”, ka thënë Hammer për mediat austriake. Liri e medias dhe zbatimi i reformës në drejtësi do të jenë shumë të rëndësishme në rrugën e integrimit për Shqipërinë. Ai tha se duhet më shumë rezultate në luftën ndaj kriminalitetit dhe kultivimit të hashashit. “Por në rrugën drejt Bashkimit Europian duhen bërë plot gjëra sidomos zbatimi i reformës në drejtësi dhe me çështjet e lirisë së medias. Para së gjithash në fushën e luftës kundër kriminalitetit, rastet e shumta të kultivimit të drogës, të kultivimit të paligjshëm të hashashit, janë një problem i madh.

Ne duam të shohim më shumë sukses në luftë kundër drogës e trafikut të saj e të personave”, deklaroi zyrtari austriak, i cili nuk heziton t’i drejtohet Ramës, i cili sipas tij duhet ta luftojë ashpër trafikun e drogës nëse kërkon të pastrojë imazhin e vendit të tij. “Në mënyrë të veçantë, problemi i kultivimit e trafikimit të drogës duhet të zgjidhet shumë urgjentisht nga qeveria Rama dhe instancat përgjegjëse. Qeveria duhet të ndalojë e të refuzojë praktika të tilla nëse do të ndryshojë imazhin e saj në botë. Kjo problematikë është një pengesë thelbësore për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Këtu duhet që qeveria Rama të bëhet aktive dhe t’i pastrojë gjërat. Nga ana e BE duhet që këto zhvillime të mbikëqyren rreptësisht” thekson Hammer. Kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut gjerman ngriti disa shqetësime, mes tyre problemin e drogës dhe të krimit të organizuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat