Kokëdhima uron, por edhe sulmon politikën: Shqipëria për 25 vite u sundua prej kastave të korruptuara

Shqipëria

Kokëdhima uron, por edhe sulmon politikën: Shqipëria për 25 vite u sundua prej kastave të korruptuara

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 17:27
Koço Kokëdhima

Ish- deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima i kushtoi një urim gjithë shqiptarëve për festën e flamurit, por në fjalën e tij ai nuk ngurroi të sulmojë edhe politike duke e cilësuar si të korruptuar, të paaftë dhe mizore.

Kokëdhima ndër të tjera thotë se Shqipëria do luftojë si kurrë më parë, për tu çliruar nga diktatura e skamjes, injorancës, paaftësisë dhe padrejtësisë, nga tirania e korrupsionit dhe hashashit

Reagimi i Kokëdhimës

Gëzuar ditën e Flamurit!

Të dashur miq, me rastin e 28 nëntorit, ju ftoj të nderojmë me përulësi të gjithë luftëtarët, heronjtë dhe dëshmorët e popullit tonë në breza, që u sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe flamurin e Shqipërisë, për idealin, gjuhën, kulturën, trojet, dhe identitetin tonë kombëtar, të nderojmë Ismail Qemalin me shokë dhe Vlorën tonë të dashur e heroike.

Sot, në këtë ditë të shënuar, duhet të pranojmë me keqardhje të madhe se, Shqipëria këto 25 vite, u sundua prej kastave të korruptuara, të paafta e mizore, të cilat, më së fundi dhe nën trysni, gërryen sovranitetin e Republikës sonë të pavarur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë mbështetur vazhdimisht përpjekjet dhe luftërat e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Prandaj jam shpresëplotë se, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, do e ndihmojë Shqipërinë në këtë moment kyç të historisë së saj.

Shqipëria do luftojë si kurrë më parë, për tu çliruar nga diktatura e skamjes, injorancës, paaftësisë dhe padrejtësisë, nga tirania e korrupsionit dhe hashashit. Do luftojë për të vendosur republikën demokratike kushtetuese, të pavarur e sovrane, për të kthyer shpresën dhe besimin, punën, dinjitetin e mirëqenien te rinia dhe qytetarët.

Duket sikur e keqja ka triumfuar përfundimisht, por kjo nuk është kështu. Populli po zgjohet. Rinia po ndërgjegjësohet. Të varfrit, të përbuzurit, të papunët, të harruarit, të palumturit po ngrihen. Revolta e tyre do e thyejë kastën që po shkatërron jetën dhe egzistencën e qytetarëve tanë. Ja vlen të luftojmë. Të fitojmë mbi frikën e pamundësinë.

Rroftë Shqipëria!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat