Bora mbulon veriun e juglindjen, probleme në disa akse

Shqipëria

Bora mbulon veriun e juglindjen, probleme në disa akse

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 08:46
Bora mbulon veriun e vendit si dhe juglindjen.

Bora ka mbuluar veriun e vendit si dhe juglindjen. Teksa një ditë më parë pati reshjet e para me uljen e temperaturave, sot pjesa më e madhe e rrugëve në këto zona është e kalueshme vetëm me zinxhirë.

Bëhet e ditur se ka prezencë akulli në aksin rrugor Pukë-Fushë-Arrëz dhe po ashtu në akset Fushë-Arrëz-Qafë Mali-Kukës.

Gjithashtu në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri ka prezencë akulli. Autoritetet përkatëse kanë deklaruar se në Pukë po punohet për hedhjen e kripës në rrugë, ndërsa në segmentin rrugor Bardhet-Iballë nuk ka ndërhyrje.

Mësohet se prezencë akulli ka edhe në disa akse në Kukës, Korçë e Dibër. Rruga Morinë-Fushë Dukagjin- Tuneli i Kalimashit aktualisht është i kalueshëm.

Ndërsa në disa akse të Kukësit duhet të përdoren zinxhirë. Bëhet e ditur se në terren ndodhen 8 borëpastruese dhe është hedhur kripë dhe skorie.

Në qarku Dibër ka prezencë akulli në disa njësi administrative si në: Kala e Dodës, Lurë, Selishtë, Trebisht, në Qafë Buall- Peshkopi, tek ‘Pishat. Njëkohësisht prezencë akulli ka në të gjithë rrugët e qarkut të Korçës dhe akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Mësohet se është ndërhyrë me kripë në rrugën e Voskopojës. Ndërsa rrethi Lezhës ka një tjetër problem, pasi është pa energji elektrike që mbrëmjen e kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat