Rama: PD të tërhiqet për Vettingu-n, Basha: Ktheje ligjin në Kuvend

Shqipëria

Rama: PD të tërhiqet për Vettingu-n, Basha: Ktheje ligjin në Kuvend

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 09:48
Edi Rama dhe Lulzim Basha

Kërkesës së kryeministrit Edi Rama që PD-ja të tërheqë ligjin e Vetting-ut nga ankimi i në Gjykatën Kushtetuese, lideri i demokratëve Lulzim Basha i është kundërpërgjigjur me një propozim, duke i propozuar së majtës amendimin e nismës që parashikon verifikimin e prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Pas takimit në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar që të sulmojë opozitën, duke kërkuar mbi të gjitha që të zhbllokohet çështja e Vetting-ut, çka nënkupton tërheqjen e demokratëve të nga padija e bërë në Gjykatën Kushtetuese. Por i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryedemokratit, i cili i kërkoi kundërshtarit të tij politik që të mos akuzojë opozitën për çështjen e çeljes së negociatave, por të rishikojnë dhe një herë në Parlament ligjin që tashmë ndodhet mbi tryezën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Akuzat e Ramës

Në takimin me veteranët dhe familjet e dëshmorëve, Rama foli për takimin me kancelaren Angela Merkel, duke theksuar se janë vlerësuar arritjen e Shqipërisë. Ndërsa nuk ngurroi të akuzonte opozitën për bllokim të procesit të integrimit. “unë dua t’ju bëj sot në këtë 29 nëntor thirrje të gjithë anëtarëve të thjeshtë dhe votuesve të Partisë Demokratike, të cilët janë në të drejtën e tyre legjitime të mos duan të qeverisen nga ne, që të ushtrojnë presion mbi lidershipin dhe ata deputetë të opozitës që janë pjesë e zgjedhjes për ta ngritur atë mur, që ta heqin murin që i kanë vënë Shqipërisë përpara, duke bllokuar plotësimin e kushtit të vetëm për hapjen e negociatave, zbatimin e ligjit të Vetting-ut. Kjo është e papranueshme, sepse nuk është kundër nesh, por është kundër Shqipërisë, është kundër të ardhmes së çdo komuniteti, familjeje, njeriut të zakonshëm të këtij vendi.

Prandaj loja “macja me miun” që bën Partia Demokratike dhe mediat, portalet e kanalet e saj të kontaminimit publik për gjoja kushtëzime të procesit, është thjesht pjesë e lojës së vjetër të asaj partie për të çoroditur publikun shqiptar me gënjeshtra e manipulime të pafundme të të vërtetës e të fakteve”, theksoi Rama.

Reagimi i Bashës

Opozita reagoi ndaj sulmeve të kryeministrit, por për herë të parë kreu i PD-së, Lulzim Basha hodhi tezën e një ridiskutimi të Vettingu-t në Kuvend, duke nënkuptuar dhe tërheqjen e ankimimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese. “Në lidhje me Vettingu-n i bëj thirrje Edi Ramës që të amendojmë ligjin, pa pasur nevojë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam gati që sot, që tani. Nëse Edi Rama do vërtet pastrimin e politikës dhe drejtësisë nga krimi dhe korrupsioni, le të shkarkojë që sot Elvis Roshin, i dënuar për përdhunim dhe trafik droge nga drejtësia e Italisë dhe e Zvicrës. Për aq kohë sa mban në politikë Rroshin, Bushin, Prengën, dhe kriminelët e tjerë, përbetimet e tij për drejtësi dhe vetting janë përralla”, deklaroi Basha. Sipas tij, shqetësimi kryesor i liderëve europianë për Shqipërinë është depërtimi i krimit në politikë, droga dhe korrupsioni.

“Ndaj në emër të opozitës kam një thirrje të thjeshtë për Edi Ramën: Qepe! Mjaft më me sulmet e turpshme prej Don Kishoti ndaj politikanëve më të lartë nga Amerika në Austri, në Gjermani, në Holandë, në Greqi e kudo. Mjaft më, duke shpallur armik opozitën dhe shumicën e popullit tënd! Nuk do të ketë kurrë paqe dhe përparim për Shqipërinë me drogë, krim dhe kriminelë në politikë. Nuk do të ketë paqe as për ty nëse vazhdon të fshehësh dhe mbështesësh drogën dhe krimin. Kushtetuta thotë se Vetting-un duhet ta bëjë Kuvendi, kurse Edi Rama do që Vetingun ta bëjë ai vetë me drejtorët dhe vartësit e tij. Arsyeja është e qartë. Si do ta mbrojë ndryshe krimin dhe korrupsionin. Edi Rama nuk do zgjidhje për Vetting-un. Ai e ka Vettingu- n pretekst për të mbuluar dështimin e tij. Sepse zgjidhja është e thjeshtë dhe mund të bëhet menjëherë, që sot, që tani, duke respektuar Kushtetutën e votuar me konsensus. Ai vetë kryeministri, nuk ka nevojë të presë Vetting-un për të bëjë pjesën e tij”, shtoi kryedemokrati.

Unioni i Gjyqtarëve ankimin të dytë në Kushtetuese

Ligji për “Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve” mund të pësojë fatin e “Vetting”-ut, të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Shoqata e Unionit të Gjyqtarëve ka paralajmëruar dërgimin e ligjit në këtë Gjykatë, pasi pretendojnë se ai bie ndesh me Kushtetutën. Në padinë që pritet të dorëzohet, sipas Neës 24, thuhet ndër të tjera se ligji krijon vakuum institucional dhe cenon hapur mundësinë e promovimit në karrierë të gjyqtarëve të shkallës së Parë dhe të Apelit. Në padi theksohet se nga zbatimi i këtij ligji krijohen situata kolapsi për mënyrën se si do të funksionojnë institucionet e drejtësisë. Për këto arsye gjykatësit do të kërkojnë pezullimin e ligjit, me qëllim që ai të mos japë efektet, pasi sipas tyre, do të shkaktojë pasojë të pariparueshme në të ardhmen. Hyrja në fuqi të këtij ligji me datën 22 nëntor të këtij viti ka sjellë një ngërç dhe një ngrirje të funksionimit të organeve të drejtësisë, siç është rasti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky institucion, me hyrjen në fuqi të këtij ligji nuk mund të emërojë, të transferojë apo të promovojë gjykatësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat