29 Nëntori, Rama i thur lavde Metës dhe Idrizit për reformat

Shqipëria

29 Nëntori, Rama i thur lavde Metës dhe Idrizit për reformat

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 10:16
Ilir Meta, Edi Rama dhe Pandeli Majko

Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta u shfaqën së bashku në ceremoninë e parashikuar për homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e rastin e 72-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Dy aleatët në koalicionin qeverisës u shfaqën së bashku, pas disa kohësh ku mungonte prezenca e tyre, kjo në aktivitete publike. Në këtë ceremoni zyrtare, shtetërore, ka munguar presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e kjo për shkak se ndodhej për një vizitë zyrtare në Turqi. Ashtu si dhe çdo vit, edhe kësaj herë në ceremoninë shtetërore nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i së djathtës, e kjo jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë ku u zhvilluan aktivitete për 72-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë.

Më pas, ashtu si për çdo vit, dy drejtuesit kryesorë të shtetit, Rama dhe Meta kanë shtruar një pritje me veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve. Ndërsa jashtë kësaj ceremonie zyrtare kanë mbetur ithtarët e diktatorit Enver Hoxha, përfaqësuesit e Partisë Komuniste. Ata janë lejuar të hyjnë pas ceremonisë zyrtare në varrezat e Dëshmorëve. Fillimisht simbolet e Partisë Komuniste, të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe portreti i Enver Hoxhës u ekspozuan jashtë rrethimit të Varrezave të Dëshmorëve.

Kryetari i kësaj partie, Qemal Cicollari, tha se “partitë politike deformojnë historinë, duke mohuar veprat e Enver Hoxhës dhe veprimtarinë e tij në LANÇ në vitin 1944”. Fjalimet Kryeministri në fjalimin e tij veç çështjes së integrimit, ia kushtoi dhe reforma dhe mbi ta gjitha vendimit për rritjen e pagave dhe pensioneve, që sipas tij, do të jenë më të mëdhatë në këto 25 vite.

Ndërsa nuk ka harruar që të vlerësojë rolin e Metën në qeverisje, por edhe të kreut të PDIU-së, pavarësisht se Idrizit nuk ia përmendi emrin në fjalimin e tij. “Me Ilir Metën, bashkëkryetarin e koalicionit në radhë të parë, pa të cilin reformat tona të thella e të vështira do të kishin qenë të pamundura, por dhe me partnerin tjetër në koalicion, po ashtu, roli i cili ka qenë kyç, në momente kyçe të procesit legjislativ, sidomos për Reformën në Drejtësi dhe Reformën Administrative Territoriale; me anëtarët e qeverisë së koalicionit që në këta 3 vjet e pak, kanë punuar si një skuadër kompakte, pa asnjë dallim partiak dhe me grupe parlamentare që e kanë mbështetur dhe e kanë përmirësuar çdo projekt të rëndësishëm të qeverisë sonë në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Rama.

Ndërsa ka bërë të ditur se është procesi i legalizimeve do të përfshijë ndarjen e 100 mijë tapive duke shtuar se falë reformave ndërmarra nga koalicioni i majtë Shqipëria po merr një kthesë historike. “Besoj, të nderuar dhe shumë të dashur miq këtu të pranishëm, se ndani me mua mendimin se gjithçka kemi bërë nga 29 nëntori i vitit 2013 kur u ngjitëm në këtë kodër të shenjtë për herë të parë, si forcë e re qeverisëse e Shqipërisë, e deri sot, në 29 nëntorin e fundit të këtij mandati të parë qeverisës, mjafton për ta mbajtur kokën lart, në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare. Ne i kemi bërë padyshim gabimet tona.

Ne jemi padyshim ta papërsosur dhe kemi shumë gjëra për të përmirësuar, por po ashtu, pa dyshim ne një gjë nuk e kemi bërë kurrë në këtë kohë përgjegjësie të lartë për atdheun tone; nuk e kemi tradhtuar asnjëherë Shqipërinë dhe qytetarët e saj në vendimmarrjet apo qëndrimet tona. E deri kur populli të na besojë ne këtë përgjegjësi kaq të lartë, ne do ta udhëheqim Shqipërinë me vullnetin për t’u përmirësuar vazhdimisht, me vetëdijen se duhet të bëhemi për ditë e më modestë në krye të detyrës e të pranojmë dhe gabimet e natyrshme, në një punë voluminoze e të përditshme dhe mbi të gjitha me vendosmërinë që kurrë të mos e bëjmë mëkatin e tradhtisë ndaj njerëzve tanë, popullit të mrekullueshëm të kësaj toke, për lirinë e të cilit dhanë jetën ata që sot ne i nderojmë me plot mirënjohje”, theksoi Rama.

Ndërsa kryeparlamentari Ilir Meta vuri theksin tek procesi integrues i vendit në Bashkimin Evropian ku shprehu bindjen se anëtarësimi i vendit në BE plotëson edhe idealin e veteranëve dhe dëshmorëve të atdheut. “Është kënaqësi që të ritakohemi këtë 29 Nëntor dhe akoma më kënaqësi të vëmë re se në një vit vendi është edhe më i integruar në Europën e Bashkuar, në themel të së cilës qëndrojnë vlerat antifashiste të popujve të cilët luftuan për lirinë e vendit të tyre, por edhe për lirinë e mbarë Evropës. Ndaj jemi sot për të nderuar edhe një herë kujtimin e të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka, që dhanë jetën e tyre, që dhanë rininë e tyre, për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike dhe për një Shqipëri evropiane”, - theksoi Meta.

Familjarët ankohen për varret e dëmtuara të dëshmorëve 

Veteranë, përfaqësues të partive të majta në Durrës, prefekti etj, kanë zhvilluar homazhe në Mazeoleumin e dëshmorëve ku kanë vendosur edhe kurora me lule, në një kohë që në krah të tyre kanë qenë dhe komunistët me fotografitë e Enver Hoxhës. Prefekti i Durrësit, Roland Xhelili i është përgjigjur dhe shqetësimit të të afërmve të dëshmorëve për shkronjat e vjedhura të emrave në varreza, duke deklaruar se “një shkronjë e hequr nga emri nuk I u vlerat dëshmorëve, por na vë ne para përgjegjësisë që të marrim masa ndaj elementëve keqbërës”. Në këtë ceremonia ka rënë në sy mungesa e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, si dhe të përfaqësuesve të forca politike të spektrit të djathtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat