Kërkesa e PD-së, Xhafaj: Tentativë për të zhbërë Gjykatën Kushtetuese

Shqipëria

Kërkesa e PD-së, Xhafaj: Tentativë për të zhbërë Gjykatën Kushtetuese

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 09:19
Kryetari i Komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj

Kryetari i Komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj, kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të amenduar ligjin e Vetting-ut e cilësoi absurde dhe tentativë për të zhbërë Gjykatën Kushtetuese. Xhafaj tha se Partia Demokratike atakon Vetting-un, me qëllim që të pengojë reformën në drejtësi.

“Gjëja më absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare që kjo maxhorancë dhe kjo opozitë, domethënë partitë politike paskan fuqi të zhbëjnë dhe Gjykatën Kushtetuese. Partitë politike konsiderojnë më të rëndësishme një marrëveshje apo një pazar ndërmjet tyre se kështu duhet konsideruar kjo gjë sesa rëndësinë e veprimit kushtetues. Nuk arrij dot ta kuptoj fare as kryetarin e PD dhe as vetë PD e cila nuk mori pjesë në debatin për projektligjin e Vetting-ut, nuk u angazhuar fort për gjërat që ajo parashtroi sipas pikëpamjes së saj.

E bëri një kauzë në Kushtetuese me të vetmin qëllim për të vonuar procesin, për ta penguar dhe shtyrë në kohë procesin. Sot kërkon atë që nuk mund të kërkojë një forcë politike serioze, që të mblidhen dy partitë politike dhe ti thonë Kushtetueses, ndërprite ti se ne vendosim kur ne biem dakord. Gjithsesi respektoj institucionet kushtetuese në këtë vend dhe ne po presim me qetësi atë që është konsideruar çelësi i zgjidhjes ose qëndrimit që do të duhet të mbajë Kushtetuesja, opinionin e Venecias që javën e ardhshme do të jetë publik”, tha Xhafaj. Më tej kreu i komisionit tha se maxhoranca pret me qetësi opinionin e Komisionit të Venecias dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi këtë ligj, pavarësisht tha ai, qëllimit të disa gjyqtarëve që duan të pengojnë reformën. “Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të ketë qenë serioze në pyetjet që i ka dërguar Venecias duke u treguar po aq serioze në respektimin e përgjigjeve që do të marrë nga Venecia. Për ne qëndrimi i Venecias mbetet bazament mbi të cilin është ndërtuar ky proces, janë ndërtuar dhe miratuar gjithë ky kuadër ligjor.

Kjo do të jetë dhe prova e fortë e Kushtetueses për të respektuar atë opinion të këtij institucioni prestigjioz. Sa na përket ne, pavarësisht se i kuptojmë shumë mirë qëllimet e disave brenda pushtetit gjyqësor edhe të kundërshtarëve politikë kemi respektuar me qetësi dhe do vazhdojmë të respektojmë me qetësi vendimmarrjen Kushtetuese. Xhafaj informoi se muaji dhjetor do të rikthejë vëmendjen tek reforma në drejtësi, ku do të diskutohen ligjet që plotësojnë gjithë kuadrin reformues. Ai tha se janë më shumë se 20 ligje, që janë në fazë konsultimi dhe pritet të futen në procedurë parlamentare. “Janë 20 e ca projektligje nga të cilat gjysma janë shumë të rëndësishme të depozitohen për t’iu nënshtruar procesit normal në Komisionin e Posaçëm apo Komisionin e Ligjeve. Është paketë projektligjesh shumë e rëndësishme”, tha Xhafaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat