Deputeti shqiptar në Bruksel: Ja rruga drejt suksesit!

Shqipëria

Deputeti shqiptar në Bruksel: Ja rruga drejt suksesit!

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 12:14
Ahmet Gjanaj

Ahmet Gjanaj, deputeti shqiptar në Parlamentin belg, tregon rrugëtimin e mundimshëm drejt suksesit.

Djali me origjinë nga Kukësi shprehet se me përfaqësimin e një deputeti në Parlament, situata për komunitetin shqiptar në Belgjikë ka ndryshuar mjaftueshëm. Ahmeti, thotë se nuk mjaftohet vetëm duke ngritur zërin e komunitetit të tij në Parlament, por se është duke punuar që të ndihmojë Shqipërinë për të ecur drejt zhvillimit. “Ideja është që të ngremë një ekip këtu në Belgjikë për të tërhequr fonde për zhvillimin e zonave më të varfra në Shqipëri dhe Kosovë dhe pastaj dhe viset e tjera Shqiptare, duke çuar sa më shumë zhvillim”, thotë Gjanaj gjatë intervistës për "Shqip". 

Kush është Ahmet Gjanaj? 

Unë jam nga fshati Bicaj i Kukësit. Prindërit e mi, të dy nga rrethi i Kukësit, janë arratisur nga Shqipëria nga diktatura komuniste në vitin 1956 bashkë me gjyshin, gjyshen, xhaxhain, motrën e madhe dhe vëllain e madh. Pas 4 vitesh të kaluara në Nerodime (afër Ferizajt), janë transferuar në Gerovë të Kroacisë ku kanë qëndruar 2 vite.  Në vitin 1962 janë transferuar në Belgjikë përmes Kombet e bashkuara. Unë kam lindur në Belgjikë në vitin 1968. Jam diplomuar në shkencat ekonomike në Universitetin e Lirë të Brukselit. Jam i martuar dhe kam 2 fëmijë. Dua të theksoj këtu se prindërit, si shumë prindër qofshin nga Shqipëria, Kosova apo viset e tjera Shqiptare, kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të na i krijuar neve fëmijëve kushtet ekonomike sa më të mira për të jetuar dhe për t’u integruar në Belgjikë dhe megjithatë nuk ka munguar kurrë përkushtimi i tyre që ne të ruajmë dhe të zhvillojmë identitetin tonë dhe kulturën tonë Shqiptare. Në vitin 2005 u angazhova në hapjen e një shkolle me mësim plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë. Kjo shkolle ka 11 vite që funksionon. Njëkohësisht kemi ngritur një grup vallëzimi që shfaq vlerat tona popullore në skena të ndryshme në Beneluks dhe në nëntor të 2013-ës kemi inauguruar Qendrën kulturore Vatra duke kurorëzuar përpjekjet tona për të patur një ambient për aktivitetet e komunitetit Shqiptar. Së shpejti dhe falë mbështetjes së disa biznesmenëve shqiptarë kemi marrë me qira një ambient dhe më të madh, në të cilin do të mund të zhvillojmë aktivitetet tona kulturore në kushte optimale. Si profesion, jam i specializuar në këshillimin dhe nxitjen e biznesit të vogël e të mesëm duke punuar në një zyrë e financuar nga autoritetet e Brukselit. Aty, qe nga viti 1999, kemi mundur të lançojmë mbi 800 biznese të ndryshëm duke krijuar mbi 1.500 vende pune. 

Kur shkuat për herë të parë në Shqipëri dhe çfarë përjetuat? 

Di t’ju them sa i kënaqur jam sa herë që shkoj në vendet tona të origjinës dhe në veçanti herën e parë kur shkova në Shqipëri në vitin 1991 në moshën 23 vjeçare. 

A jeni marrë më herët me politikë ? Si vendosët që të kandidoni për deputet? 

Duke parë efektin e menjëhershëm të politikës së komunës në aktivizimin e të papunëve dhe zhvillimin e ekonomisë lokale dhe duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet politike të komunës sime ku implementoheshin programe zhvillimore për mirëqenien e popullsisë, mora vendimin që të pranoja ofertën e partisë në pushtet në këtë komunë për t’u anëtarësuar. Kështu që në 2002, u bëra anëtar i Partisë Socialiste feankofone Belge. Por menjëherë, dua të theksoj se kjo nuk i ngjan PS-së së Shqipërisë pasi nuk e kanë aspak të njëjtin historik. Kjo parti iu përgjigjet më shumë nevojave dhe nivelit socio-ekonomik të një pjesë të madhe të Shqiptarëve të Belgjikës frankofone.  Kam kandiduar për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2006, ku menjëherë fitova mandatin si këshilltar komunal. Në 2012 jam rizgjedhur si këshilltar komunal. Kam kandiduar dhe në nivelin federal në 2007 e 2010. Ndërsa në nivelin ku jam zgjedhur si deputet rajonal i Brukselit ishte hera e dytë pasi herën e parë në 2009-ën ngela për 160 vota larg marrjes së mandatit. 

Ky është mandati i parë që merrni dhe keni dëshirë që ta vazhdoni këtë rrugëtim? 

Sidoqoftë, unë do vazhdoj të jem aktiv në lidhje me komunitetin shqiptar dhe të drejtat e tyre në trevat tona. Dëshiroj të kandidoj dhe për zgjedhjet e tjera por se sa do të jem në gjendje të rinovoj mandatin, kjo varet nga sa do të jenë të kënaqur votuesit e mi me punë time. 

Çfarë do të thotë për komunitetin shqiptar që të përfaqësohet nga një deputet i tyre? 

Për komunitetin Shqiptar, marrja e mandatit të deputetit nga një i tyre ka ndryshuar shumë gjëra pasi politika është një ndër hallkat e rëndësishme që dëshmon një organizim kolektiv të shqiptarëve për ta bërë të aksesueshme dhe mandatin politik, pra faktorizimi i shqiptarëve në Belgjikë. Puna e madhe për ndërgjegjësimin e shqiptarëve në Bruksel ka sjellë fitoren dhe ka thyer dhe një tabu për ata, integrimi i tyre në jetën politike si të gjithë komunitetet tjera. 

Sa e vështirë është që të jesh zëri i komunitetit shqiptar në Parlamentin e Brukselit?     

Është e vështirë të jesh zëri i tyre për shkak se nuk është se i gjen ata bashkërisht në një zonë gjeografike të caktuar. Jo, përkundrazi, ata janë të shpërndarë gjithandej dhe për t’i takuar dhe për të ditur se çfarë kërkesash kanë dhe për të qenë shumë pranë kërkesave të tyre, duhet lëvizur pandërprerë nga një vend në tjetër. Sa për punën në Parlament në lidhje me shqiptarët, deputetët tjerë janë shumë dashamirës ndaj nesh kështu që dhe puna mund të behët pa kompleks. 

Kush i zgjedh kandidatët për deputet dhe çfarë kriteresh duhet të përmbushen? 

Sistemi belg është goxha i komplikuar por do të përpiqem të jua shpjegoj. Kandidimi bëhet duke qenë në lista shumë-emërore dhe sistemi është proporcional. Listën e përpilon presidenti i partisë bashkë me një komision i të urtëve. Belgjika është shtet federal me dy komunitetet zyrtare : frankofonët (pak më shumë se 4 milionë banorë) dhe flamanët (pak më shumë se 6 milionë banorë). Janë gjithashtu 3 entitete federative (Flandra, Valonia dhe Brukseli). Parlamenti i Brukselit ka 89 ulëse : 72 frankofonë dhe 17 flamanë. Kriteret janë që kandidati duhet të ketë një punë të konfirmuar në mbështetje të popullsisë, një integritet moral dhe profesional. Në rastin tim është partia që më ka ofruar të jem pjesë e zgjedhjeve të ndryshme duke pasur parasysh punën e bërë dhe rritjen gjithmonë e më të madhe të mbështetësve të mi. 

Më çfarë i është dashur të përballet Ahmetit, që të arrijë deri këtu? 

Sigurisht se mungesa e të pasurit shtete të forta pas nesh në lidhje me komunitetin tonë kërkon një angazhim shumë të madh për të arritur rezultate të vogla dhe të mundimshme. Prandaj, ngjitja në hierarkinë politike në Belgjikë është shumë e nevojshme për të ndryshuar raportet dhe për të bërë më shumë për komunitetin. Mungesa e mjeteve financiare në veçanti vështirëson realizimin e aktiviteteve të komunitetit. Por gjërat lëvizin pasi dhe Belgjika na mbështet më shumë pikërisht sepse me marrjen e këtij mandatit dhe faktorizimin e shqiptarëve. Shqiptarët gjithashtu, bëhen dita-ditës më të suksesshëm dhe me kapacitete që ndihmojnë në zhvillimin e aktivitete më të mëdha.

 A kthehet shpesh Ahmeti në vendlindjen e të parëve dhe çfarë do të donte që të ndryshonte në Kukësin e tij? 

Unë shkoj shpesh në Shqipëri. Sa për çfarë do të dëshiroja për Kukësin, kam kaluar më në fazën e të pasurit një dëshirë tek fillimi i realizimit të projekteve konkrete për të dhe zonat e varfra të Shqipërisë e të Kosovës. Sivjet, jam nisur me një delegacion me kolegë të mi nga Parlamenti i Brukselit, por që janë gjithashtu dhe pushtetarë lokalë në komuna të mëdha këtu në Belgjikë. Shkuam në Kukës, Tropojë e Gjakovë me perspektivën se do të mund të bëjmë diçka për këto zona. Ideja është që të ngremë një ekip këtu në Belgjikë për të tërhequr fonde për zhvillimin e asaj zone, duke çuar sa më shumë zhvillim. Është koha gjithashtu që të zbatojmë praktikat e vendeve nordike dhe jo më të vendeve evropiane që nuk e kanë vetë të qartë se si duhet të funksionojë realisht Evropa. 

Ju flisni dhe shkruani një shqipe të rrjedhshme, ndërkohë që nuk keni jetuar kurrë këtu? 

Nëse flas shqip sot, e gjithë merita u shkon prindërve, të cilët nuk e konceptuan kurrë që ne të mos flisnim shqip njëjtë sikur të kishim lindur në Shqipëri. Prandaj, insistimi i prindërve për të folur shqip me fëmijët e tyre është gjëja minimale që mund të bëjnë. Pastaj hapja e shkollave shqipe dhe zhvillimin e aktiviteteve në nivelin e komunitetet janë të domosdoshme për përforcimin  dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës tonë të bukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat