Amnistia, Manjani: Një sqarim për kultivuesit e hashashit

Shqipëria

Amnistia, Manjani: Një sqarim për kultivuesit e hashashit

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 14:23
Ylli Manjani

"Edhe Ylli Manjani nuk po flet më! Mesa duket ia kanë mbyllur gojën dhe atij….”.

Duket se ky shqetësim i bërë nga një qytetare në një emision mëngjesi ditën e sotme, ka bërë që ministri i Drejtësisë, Yll Manjani të bëjë një reagim të gjatë në profilin e tij në ‘Facebook’.

Ai ka sqaruar opinionin publik, në lidhje me proceduarat që po ndiqen për kthimin dhe kompensimin e pronave.

“Nuk e mohoj aspak shqetësimin që na vjen nga qytetarë të ndryshëm, që Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vonesa në trajtimin e dosjeve! Disa herë unë dhe personeli që më ndihmon në ministri, kemi kërkuar përshpejtim të procedurave të kthimit dhe kompensimit te pronave.

Puna ka filluar dhe kemi raportuar rastet e para të pronareve që kanë mbyllur përfundimisht “llogaritë” e hapura me shtetin. Pra, janë kompensuar plotësisht! Ky proces vazhdon dhe plani është që brenda këtij viti të harxhohet i gjithë fondi për kompensim financiar. Buxheti i vitit të që vjen ka po aq para në dispozicion; pra 24 milionë dollarë të tjerë!”, theksoi Manjani.

“Ky vit që po mbyllim na mori shumë kohë me hartimin dhe miratimin e ligjit të ri (mos harrojmë se vetëm para pak ditësh, përfundoi gjykimi mbi këtë ligj ne Gjykatën Kushtetuese). Po këtë vit përgatitëm gjithë kuadrin nënligjor të nevojshëm, që kërkon kohë dhe energji. Po në këtë vit pritëm aplikime të reja, të cilat janë pjesë e shqyrtimit të përditshëm të ATP. Kemi ndryshuar të gjithë konceptin mbi barrën e përgjegjësisë. Tashmë, i takon ATP të bredhë nëpër zyrat e shtetit për të verifikuar të dhënat dhe jo më pronarëve, që jemi mësuar t’i shohim me letra nën sqetull duke kërkuar vërtetime pa fund!”, shtoi ai.

Por, ai nuk ka nguruar të pranojë se jo çdo gjë shkon siç duhet të shkonte, pasi ka dhe probleme që hasen gjatë procesit. “Kemi probleme dhe nuk përjashtoj as sjellje apo praktika të paligjshme, për të cilat kërkoj bashkëpunimin e cilitdo që ka parë apo provuar në kurriz kërkesën për korrupsion! Të jemi të bindur që nuk do fal askënd ndaj të cilit ka një provë qoftë dhe indirekte për korrupsion! Por, ju lutem të mirëkuptojmë njëri-tjetrin se jo çdo shqetësim që kalojmë duhet të quhet detyrimisht Korrupsion..! Korrupsioni është krim dhe si i tillë duhet provuar, që të dënohet ai/ajo që e kryen!”, theksoi ministri Drejtësisë.

Amnistia

Lidhur me amnistinë ndaj te dënuarve, ministri ka një sqarim për kultivuesit e hashashit.

“Rasti i dytë i ankimit, ishte sot një qytetar nga Berati, i cili fliste në emër të një “grupi punëtorësh të malit”, pra hashashit, të cilët janë në ndjekje penale nga organet e ligjzbatuese. M’u krijua bindua se qytetari fliste në emër të tyre, për të maskuar ndonjë hall të vetin. Por, kjo nuk ka rëndësi! Dua t’i përgjigjem shqetësimit jo pa ton që ai ngriti se “falja e premtuar për këtë kategori ishte gënjeshtër”!”

“Së pari, askush nuk ka premtuar falje! Falja është një akt individual, që do të thotë se jepet për individë konkretë sipas një procedure! Së dyti, ne kemi folur për një amnisti, të cilën po i japim “dorën e fundit” për ta përcjellë në Parlament për diskutim dhe miratim! Së fundi, por jo për nga rëndësia, shkelësit e ligjit nuk mund të kërkojnë hesap pjesës tjetër të shoqërisë që ka interes zbatimin e ligjit! Të punosh sot në parcelat e hashashit është ligjërisht pjesë e aktivitetit kriminal dhe si e tillë është e dënueshme! Natyrisht jo aq e dënueshme sa çduhet të jetë për bosët e kësaj pune, por është e dënueshme!

Prandaj askush të mos krijojë bindje se mund te shkelet ligji, duke dalë në mal për punë të paligjshme dhe se do falet apo do amnistohet! Kjo vepër dënohet sot e do dënohet dhe pas amnistisë! Prandaj, kush nuk do probleme me organet ligjzbatuese te mos merret me punë të tilla!”, tha ministri Manjani. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat