Rikthehet Elvis Roshi, shfaqet në krah të Haritos për shërbimet qytetare

Shqipëria

Rikthehet Elvis Roshi, shfaqet në krah të Haritos për shërbimet qytetare

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 15:45
Milena Harito e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi

Qytetarët e Kavajës tanimë do të mund të marrin mbi 200 shërbime publike nga 5 institucione vendore dhe lokale në qendrën e parë të shërbimeve publike me një ndalesë në vend, të menaxhuar nga Agjencia e Shërbimeve Publike ADISA.

Në këtë qendër janë vendosur sportelet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Gjendjes Civile, Sigurimeve Shoqërore, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, (qe pas proceseve gjyqesore i eshte rikthyer funksionit si kryebashkiak), drejtuesit e institucioneve që ofrojnë shërbimet e tyre në këtë qendër dhe partnerët strategjikë të reformës për shërbimet publike, Banka Botërore, PNUD dhe Qeveria Italiane, kanë marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të zhvilluar sot paradite.

“Është hera e parë në Shqipëri që hapim këtë model institucioni. Ne duam t’i japim qytetarit shërbimin e munguar. Duam t’i kursejmë kohë dhe energji, duke i ofruar shërbime të shpejta. Reforma e Shërbimeve Publike është duke ndryshuar mënyrën se si administrata publike ju shërben qytetarëve dhe biznesit, duke qenë tërësisht në funksion të tyre. Qytetari ashtu si klienti në sektorin privat, tani e tutje është mbret. Qytetari ka të drejtë, ne kemi detyrën ti shërbejmë me standarte”, ka thënë ministrja Harito në fjalën e saj.

Për ministren reforma është tejet e rëndësishme sepse lufton dhe korrupsionin.

“Të gjithë e dinë që një nga mënyrat bazë për t’i detyruar qytetarët të shkojnë t’i kërkojnë shtigjet e korrupsionit është të mos jepet përgjigje. ADISA është garanti që çdo qytetar i cili ka kërkuar të marrë një shërbim do marrë përgjigje, pavarësisht nëse ajo është pozitive apo negative, por do të marrë përgjigje dhe do t’a marrë atë përgjigje në kohë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat