Byroja e Sigurimit fsheh milionat e sigurimeve

Shqipëria

Byroja e Sigurimit fsheh milionat e sigurimeve

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 16:16
Foto nga byroja shqiptare

Byroja Shqiptare e Sigurimit është vënë nën akuzë publike nga qytetarë të ndryshëm për shkelje të ligjit dhe fshehje të miliona lekëve të Fondit të Sigurimeve, që ajo duhet t’u paguajë personave të aksidentuar.

 “Qytetarë të shumtë ankohen se Byroja Shqiptare e Sigurimit nuk i ka dëmshpërblyer për aksidente të ndodhura gati 10 vjet më parë, duke mos ekzekutuar vendime të gjykatave të formës së prerë. Media u  interesua pranë zyrave të saj, por siç e shihni këtu dyert janë të mbyllura, edhe pse e sotmja është dite pune dhe ora shënon 11.30, pra brenda orarit zyrtar të punës. Byroja, në shkelje të ligjit, ka refuzuar gjithashtu të kthejë përgjigje zyrtarisht për një kërkesë që i është drejtuar sipas ligjit për të drejtën e informimit, nga media, nëpërmjet emisionit Stop, që publikoi denoncimet e disa qytetareve”

Emisioni investigativ “Stop”ka trajtuar dy raste: njërin që i përket vitit 2007 bëhet fjalë për Engjëllushe Shahi nga Lezha, dhe rasti tjetër që i përket vitit 2011 për qytetaren Nazmie Reka nga Tirana, të cilat nuk marrin dëmshpërblimin, edhe pse vendimet e organeve gjyqësore kanë qenë të formës së prerë.

Tv Klan siguroi një vendim te Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të marsit të këtij viti, që tregon se për demet që i përkasin viteve para 2013-tës është vënë në dispozicion një shumë prej afro 468.1 milionë leke, dhe byroja ka si detyrë të trajtojë me prioritet praktikat me ngjarjet e sigurimit më të hershem.

Por siç duket Byroja e Sigurimit, nuk e ka vene në zjarr këtë vendim, duke shkelur ligjin, dhe duke i mohuar të drejtën e dëmshpërblimeve qyqareve.

Por nga i siguron paratë, Byroja Shqiptare e Sigurimit? Sipas ligjit Fondi i Kompensimit përbëhet nga Kontributi i përvitshëm i çdo shoqërie sigurimi, anëtare të Byrosë, që aktualisht janë nëntë si edhe nga burime të tjera.

Dyshimet janë se këto para, ose nuk paguhen nga shoqëritë e sigurimit dhe Byroja hesht edhe pse shkelet hapur ligji, ose në të kundërt paratë e mbledhura nuk shkojnë aty e përcakton ligji.

Një përgjigje e Byrosë Shqiptare të Sigurimit do të hidhte drite si mbi këto dyshime ashtu edhe mbi arsyet se perse ajo shkel ligjin dhe refuzon të zbatoje vendimet e gjykatave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat