Nënshkruhet programi i bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Rusi

Shqipëria

Nënshkruhet programi i bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Rusi

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 17:56
Nënshkrimi i marrëveshjes

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka nënshkruar Programin e bashkëpunimit kulturor me homologun rus Vladimir Medinski.

Bashkëpunimi mes dy ministrive do të shtrihet për periudhën kohore 2017-2019, dhe vjen në kuadër të Forumit të V-të Kulturor Ndërkombëtar të Shën Petërburgut.

Gjatë qëndrimit të saj në Shën Petërburg, ku delegacioni shqiptar po merr pjesë në Forumin e V-të Kulturor Ndërkombëtar, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Universitetin Shtetëror të Shën Petërburgut, ku pati një takim me Zv.Rektorin për Marrëdhëniet me Jashtë, Sergej Andrjushin, si dhe me përfaqësues të tjerë të këtij institucioni.

Bashkëbiseduesit evidentuan hapësira të mëdha për bashkëpunim dhe diskutuan mbi hapa konkretë për të vendosur kontakte të qëndrueshme komunikimi midis Universitetit dhe institucioneve të Shqipërisë.

Gjithashtu, në një nga sallat më të bukura të Universitetit Ministrja mbajti një leksion me temë “Komunikimi përmes kulturës si faktor bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kohezioni social” për studentët dhe pedagogët e atjeshëm, kryesisht ata të degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në përfundim të leksionit albanologët e rinj patën mundësi të praktikonin shqipen e tyre, duke komunikuar nga afër me Kumbaron.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat