Vrau gruan me 4 plumba, rrëfimi i gardistit: Fajin e kishte vjehrra, më përbuzte

Shqipëria

Vrau gruan me 4 plumba, rrëfimi i gardistit: Fajin e kishte vjehrra, më përbuzte

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 22:38
Admir Dervishi

“Vjehrra ishte shkaktare”. Kështu thotë Admir Dervishi, gardisti që vrau më 6 prill të këtij viti bashkëshorten e tij Ilda Dervishi me armën e punës. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit ai rrëfen gjithë konfliktet me gruan e tij deri tek fjalët e fundit të Ildës, pasi u qëllua me disa plumba nga babai i dy fëmijëve të saj. Ai thotë se ende nuk e beson që ajo ka ikur në banesën e fundit dhe se shpreson që një ditë të shkojë ta takojë në burg. Në një intervistë ku shpesh luhatet në mendime, ka kontradikta dhe vazhdimisht qan, Admiri deklaron se nuk ka dashur ta vriste gruan e tij.

“Po të kisha dashur ta vrisja, do e vrisja në gjumë”, thotë ai, duke shtuar se ka qenë i pavetëdijshëm kur ka qëlluar. “Por njeriu lajthitka”, vijon ai duke u përpjekur në një farë mënyrë të shfajësohet për krimin e rëndë, që ndodhi ndërsa fëmijët ishin aty, pak metra larg dhe që u desh të kalonin pranë nënës së shtrirë në korridore mbuluar nga gjaku. Admiri fajëson vjehrrën, ajo sipas tij e përbuzte dhe e shihte si hasëm, madje si ‘gomë rezervë’, thotë ai.

Por ish-gardisti nuk e pranon se e ka dhunuar gruan e tij, megjithëse kur janë rikthyer bashkë para lindjes së vajzës, ai pranon se i kishte thënë Ildës se mund ta dhunonte sërish. Kështu mes “Po-sh” dhe “Jo-sh”, mes “pendimit” dhe “justifikimit”, Admiri thotë se shpreson që fëmijët ta kuptojnë vrasjen e nënës së tyre nga babai.  Por pavarësisht gjendjes dhe krimit, Admiri shqetësohet shumë edhe për opinionin publik se si do ta gjykojë. “Të thashë, e fuste mamaja e saj. Mund të duket gabim ky nga ana e opinionit publik”, thotë ai. E si nisi sherri ditën e vrasjes? Për një bluzë të pistë, që Admiri thotë se Ilda ja kishte veshur djalit. Lexoni intervistën.

Çfarë ndodhi atë mëngjes?

Ka qenë e mërkura e 6 prillit. Të martën kam qenë turn i dytë në punë, në gardë. Por unë edhe kur e mbaja armën, kur vija në punë tek institucioni mbaja dy krehra.

Një ditë përpara se të ndodhte ngjarja ju keni patur një konflikt.

Jo një ditë më para ajo ka qenë tek e ëma që unë nuk e dija. Unë kisha ikur për punë. Të thashë ka qenë ditë e martë, ika për turn i dytë në punë, nuk e dija. Edhe flas…Kthehem për tek dyqani, kthehem pasdite në darkë, se e kisha lënë dyqanin hapur. E mbanim të dy bashkë dyqanin. Kthehem pasdite tek dyqani, dyqani ishte me qepena, jo hapur, shikoj unë, nusja s’kishte vajtur. Vete në shtëpi i thashë po ku ishe? Më tha isha tek mami. Po pse s’më the që ishe tek mami. Jo tha isha tek mami, po ti a vazhdon me ato gjërat ashtu…

Ti nuk e lejoje të shkonte?

Jo se nuk e lejoja. Ajo kishte vajtur, e lejoja.

Por, sa herë shkonte kishte probleme me ty, apo jo?

Kishte probleme se të më thoshte do vete, do vete. Por kur vinte nga ajo, vinin problemet tek ne.

Por pse duhet të merrte leje për të parë nënën e saj?

Të lutem, jo do më merrte leje. Por duhet të më thoshte që unë vajta ose unë do vete.

Po ndodhi një diçka, u mbyll shtëpia, dyqani do vete atje.

Po pse nuk ta thoshte ajo këtë?

Ti e kupton pse nuk ta thoshte sepse ti i krijoje probleme. Thjesht ajo po shikonte nënën e saj, nuk po bënte asgjë të keqe.

Pse nuk e lije të shikonte nënën e saj?

Ajo do vinte, do kthehej prapë në shtëpi do fillonin zënkat tona prapë.

Pra, nuk e lije.

I thosha nëse do vesh atje dhe do t’i mbash çdo gjë ça të thotë, bjeri deri tek dera, brenda mos i fut. Mos mi thuaj mua. Mos mi thuaj çdo gjë që do të thotë ajo. Nuk janë të vërteta.

Ajo kthehet nga nëna e saj, ti e gjen në shtëpi dhe fillon një zënke.

Të lutem, atë natë i fola pak, i thashë pse s’ke qenë tek dyqani. Jo, tha ajo isha nga mami, ok. Ngrihem në mëngjes, shtretërit i kishim të ndarë. Në 26 ka qenë atje dhe ka filluar konflikti dhe kemi fjetur veç e veç atë natë për shkak të zënkës.

Çfarë lloj zënke kishte, vetëm duke folur me zë të lartë, apo e ke prekur me dorë?

Jo me dorë fare, fare atë ditë thashë. Qëkur jam bashkuar me Idën, para lindjes së Kleas nuk e kam qëlluar as me shpullë, as me gjë. Debate po, si çdo familje shqiptare që mund të lindin, ekonomike, të gjitha. Ngrihemi në mëngjes. Pistoletën nuk e kisha lënë në vendin e duhur. Pistoleta ndodhej mbi frigorifer. Nuk ia kisha hequr krehrin.

Ngrihemi në mëngjes, ishte ora 7 pa ca dhe ngrihemi. U ngrit djali. Do dalë babi do ikë tek dyqani, mos të çojë mami se është me klientë, të çoj unë. Edhe u ngrit. E ngriti nusja. U vesh fëmija, me një bluzë, e kishte të pistë. I thashë babi thuaj mamit hiqe bluzën se është e pistë. Foli nusja, filloi më foli “Adi pse mi thua djalit e pistë”. Ida është e pistë kjo bluze, mos të marri këtë. “Po s’kemi të lara”…Ne kishim dyqanin në kat të parë me rroba fëmijësh, mund t’i vishte ato. Jo andej këtej, i thashë do thonë babait jazëk i qoftë si e ka çuar. E kishte dufin nga brenda, e kishte dhe shpërtheu. Filloi, atje u zumë. Po bërtiste, e lashë. Unë isha veshur me rrobat për të dalë përjashta, armën e kisha në brez dhe do dilja për përjashta. “Joo, ti nuk do dalësh!”

Armën e kishe në brez apo mbi frigorifer?

E kisha marrë, isha veshur. Nuk e dija që e kisha armën me fishekë. Në shtëpi nuk e lija me fishekë, nuk isha i vetëdijshëm që e kisha me fishekë. Nuk e kisha kontrolluar. Dalim e zihemi, me sende të forta shtëpisë, më ka qëlluar, më ka bërë…

Ajo?

Ajo. Unë kur i kam qëlluar atëherë asaj…

Çfarë sendesh?

Jo me pjata, jo me gjëra të forta mund të thuash. (psherëtin)
Po njeriu lajthitka në një moment dhe ky ka qenë momenti më i keq për mua. Pse do thuash? Unë kur kam qëlluar…, nuk e di, nuk e di si mund ta imagjinosh, nxora armën. Por para familjes nuk nxirret ajo, para gruas, para nënës së fëmijës por njeriu lajthitka!

Kur kam qëlluar, unë e dija vetëm se… vetëm për të trembur. Kur ka bërë arma bau, unë nuk kam parë fare çfarë, nuk e kam kontrolluar dot veten.

Po ti nuk ke qëlluar vetëm një herë apo jo?

Të lutem, këtu dua të dal, nuk e kam kontrolluar dot veten. Po t’i shikosh të gjitha, po të shikosh brezin e ashensorit, ose brezin e derës, të gjithë plumbat janë në atë pjesë. Po të doja ta vrisja, mund ta vrisja që kur ishte në gjumë. Edhe sot që po flasim këtu, unë nuk e di. I kam marrë fëmijët, djali ishte te dhoma matanë. E kam marrë djalin e kam shtrirë në krah edhe gocën.

Çfarë po bënin fëmijët?

Djali po qante, goca ishte në gjumë, por edhe ajo ndjeu, qau nga zhurma.

Djali e pa skenën?

Skenën jo, mund të ketë parë nënën kur kemi kaluar. Thashë, i mora të dy fëmijët në dorë, i zbres në katin poshtë.

A të ka folur ajo, ka pasur fjalë të fundit?

Më foli, më tha “Adi çfarë bëre?” (qan)

Tani është fakt që ajo nuk është më Admir, ti e kupton këtë gjë?

Unë nuk e besoj se ajo mund të ketë shkuar në banesën e fundit. (qan) Fëmijët mund ta kërkojnë, thonë që mund të vijë mami, një moment, Kledioni dhe Klea por këtë e them edhe unë. Mund të vijë Ida të më takojë këtu. Nuk e di, në një moment. (qan) Për këtë jam penduar aq shumë…Nuk e di…

Fakti është që ti ke vrarë nënën e fëmijëve të tu. Si mendon se do t’ia shpjegosh djalit kur të rritet?

…Them se fëmija do ta kuptojë. Kjo është një dhimbje e madhe, nuk e di as unë vetë. Kledioni, pa mirë Klea është e vogël. Edhe Klea do të rritet, do t’ia thonë, do t’i tregojnë dhe ajo do të rritet jetime për shkak se babai i ka vrarë nënën…Si do ja shpjegosh këtë gjë Admir? Je përgatitur për këtë?

Ky ka qenë një gabim i momentit…(psherëtin)

Në vitin 2009, ish-bashkëshortja juaj merr urdhrin e parë të mbrojtjes. Çfarë ndodhi, çfarë bëtë ju që e detyruat atë të kërkonte një urdhër mbrojtje?

Nuk ka qenë tek unë. Vjehrra nuk e di çfarë kishte. Mua më shikonte me një shikim, si një të huaj, jo si burrin e gocës. Një hasm, një gjë sikur më kishte. Nuk gjej dot fjalën, me përbuzje.

Po pse e mori urdhrin e mbrojtjes?

Jemi zënë, dhunë nuk ka pasur.

Çfarë ndodhi në 2013-ën kur ajo mori urdhrin e dytë të mbrojtjes?     

Në 2013-ën, ka qenë maj. Ishte martuar motra e nuses. E kam qëlluar nusen me shpullë dhe vjen policia në banesë, ke ushtruar dhunë.

Ka qenë vetëm një shpullë?

Një shpullë ka qenë.

I sigurt?

I sigurt.

Kjo ka qenë një gjë që përsëritej shpesh?

Jo, më 23-24 maj të 2013-ës jemi paraqitur në gjykatë dhe thotë gjykata që duhet t’i largohesh banesës për kaq. Tani një banesë ishte ajo, të dy ishim me qira. Edhe këtë banesë i thashë zonja gjyqtare mund të vete të marr rrobat ushtarake, jam për punë. Isha turn i tretë atë natë. Edhe vemi me autobus, bashkë me nusen. Ika unë nga banesa, mora ato çfarë kisha, plaçka. I thashë na edhe sot qiranë, ishte muaji, nuk i kisha paguar. I thashë na dhe majin se nuk i dihet. Ka qenë gusht i 2013-ës, djali kishte ditëlindjen.

Aty jeni bashkuar prapë?

Atë ditë ka qenë dita e parë kur e kam takuar djalin. Djali i ka ikur nuses nga dora. “Babi” tha. Qan Jemi takuar. Atëherë nusja më tha Adi nuk do lidhemi më bashkë. Në rregull, ti ke jetën tënde. Të mendojmë për Kledionin.

Pse të thoshte kështu? Se ti ushtrove dhunë, ke qenë i dhunshëm me të. Jo vetëm dhunë fizike por edhe verbale. Kishte zënka në shtëpinë tuaj.

Të thashë, e fuste mamaja e saj. Mund të duket gabim ky nga ana e opinionit publik. Por ajo ishte me nënën në banesë…

Po sikur ti të kishe nënën tënde vetëm dhe të kishte nevojë për përkujdesje. A ishte normale ajo që kërkonte ish-gruaja jote, thjesht të kujdesej për nënën e saj? Pse të bënte xheloz ty kjo gjë?

Se nuk më donte ajo mua. Nuk më donte ajo. Më shikonte si një gomë rezervë.

Po ti pse nuk e lije ish-gruan të kujdesej për nënën e saj?

I thosha, ne jemi martuar. Unë jam nga Tepelena, mund të jetonim atje. Fati im që unë erdha për të krijuar në familje. Nëna ka qenë shkaktarja.

Si u rikthyet ju pastaj?

Ka qenë 7 janar, në mos gaboj. Erdhi më takoi, kemi pirë kafe tek parku. Adi tha, mami është më mirë tani dhe unë dua të bashkohem me ty. Atëherë zemër, unë isha i keqi, isha i dhunshmi. Mund të përdor dhunë prapë. Jo se e kisha unë fajin, s’do mendoj. Nëse e mendon të njëjtën gjë unë i anashkaloj. Po të fillojmë, të bëjmë sherre prapë nuk është gjë e mirë. Të rritet ky.

Pra kishte sherre?

Sherre, llafe, gjëra këto.

Dhunë dhe sherre, sapo e the, do të ushtroj dhunë prapë…Të jemi të sinqertë, ka pasur dhunë dhe sherre të vazhdueshme në familjen tënde?

Këtu dua të dal. Sherri konkretisht. I thashë nëse ti do të dëgjosh nënën. Nëse ke burrin dhe do ta mbash për gomë rezervë. Ju u bashkuat prapë, gjatë kësaj kohe dhe deri ditën që ka ndodhur ngjarja si kanë qenë marrëdhëniet tuaja? Kanë qenë shumë të mira. As urdhër mbrojtje se kishte mbaruar në 24 maj të 2014-ës.

NGJARJA

6 prilli i këtij viti tronditi jo vetëm Tiranën por të gjithë vendin pasi Admir Dervishi, 29 vjeçari nga Tepelena, punonjës i gardës së republikës vrau me 4 plumba bashkëshorten e tij Ida Dervishi. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit dhe erdhi pas një kohe të gjatë grindjesh, ndarjesh, pajtimesh dhe ribashkimesh. Po gjatë kësaj kohe çifti u bë edhe me dy fëmijë. Megjithatë, mendimi për dy fëmijët e mitur, një djalë dhe një vajzë, nuk bëri dot që 29-vjeçari të mos qëllonte disa herë me armën e shërbimit ndaj bashkëshortes së tij, e cila humbi jetën rrugës për në spital. E gjithë ngjarja u zhvillua brenda pak sekondave në sheshpushimin e shkallëve të apartamentit ku çifti qëndronte me qira në “Rrugën e Qelqit” në Kombinat. Pas vrasjes, 29-vjeçari mori në krah fëmijët dhe i la tek fqinjët duke u thënë atyre: “Mi mbani pak fëmijët se më vranë gruan”.

Admir Dervishi u arrestua nga policia në dalje të pallatit pasi fqinjët lajmëruan në telefon për të shtënat. Ngjarja u klasifikua nga policia si vrasje për motive xhelozie. Në vendin e krimit, policia sekuestroi 5 gëzhoja pistolete. Vetë fqinjët deklaruan në atë kohë se mes çiftit kishte zënka të vazhdueshme për shkak të xhelozisë së bashkëshortit se pse Ida u fliste më shumë se duhet klientëve në dyqan. Ajo çka e bën më tragjike këtë krim brenda është fakti se bashkëshortja e tij kishte dy urdhra mbrojtjeje. Në 17 shtator të këtij viti, Gjykata e Krimeve të rënda e dënoi Admir Dervishin me burgim të përjetshëm dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të qëndrojë në qeli për 35 vite. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat