Miratohet amnistia për katërmijë të burgosur: Njëmijë lirohen, tremijëve u ulet dënimi

Shqipëria

Miratohet amnistia për katërmijë të burgosur: Njëmijë lirohen, tremijëve u ulet dënimi

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 12:52
Ilustrim

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot, amnistinë në burgje, propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Prej kësaj amnistie, përfitojnë 100 të burgosur që dalin nga burgu dhe 3000 të tjerë, që u ulet dënimi.

Nga amnistia do të përfitojnë personat e dënuar vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor 2016, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Po ashtu, do të lirohen nga qelitë edhe personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet. Tjetër kategori përfituesish janë personat e dënuar femra që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 55 vjeç.

Nga amnistia preken edhe personat e dënuar meshkuj, që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Projektligji parashikon edhe amnistimin e personave të dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre të dënuar për një kategori të përcaktuar veprash të rënda penale. Amnistohen të dënuarit me dëmtime të përhershme fizike, apo të diagnostikuar me sëmundje të rënda të pashërueshme.

ULJET E DENIMIT

“Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 të këtij ligji, pavarësisht kritereve ndaluese të nenit 4, u zbritet:

a) 2 vjet nga dënimi i dhënë të gjithë personave të dënuar gra apo personave që në kohën kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur;

b) 2 vjet personave, të dënuarve me dëmtime të përhershme fizike, apo të diagnostikuar me sëmundje të rënda të pashërueshme;

c) 1 vit nga dënimi i dhënë për personat e dënuar, burra”, thuhet në nenin 5 të draftit.

Sipas projektligjit pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara, ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave: “kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “goditjet për shkak të detyrës”, “kanosja për shkak të detyrës”, “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, “ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar” dhe “mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat