‘S’je hamshori i gruas sime’, rrëfehet inspektori që masakroi 59-vjeçarin

Shqipëria

‘S’je hamshori i gruas sime’, rrëfehet inspektori që masakroi 59-vjeçarin

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 09:23
Ilir Terolli në spital, pas dhunës së efektivit të policisë

Pas publikimit të ngjarjes së rëndë, ku Ilia Terolli u dhunua nga polici kufitar Gjergji Gjorgji, 41 vjeç, ky i fundit ka sqaruar situatën para policisë.

Brenda pak orësh nga çasti kur Terolli ka kërkuar ndihmë për presionin dhe kërcënimin që po i bëhej atij e familjarëve, Policia ka reaguar duke pezulluar menjëherë efektivin.

Sipas të dhënave zyrtare, gjithçka është bazuar te veprimet e para hetimore, nga të cilat është konkluduar se ka pasur një konflikt mes tyre.

Kanë qenë deklarimet e të dyja palëve ato që kanë konfirmuar ngjarjen. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, Terolli ka insistuar se veprimi i tij ka qenë thjesht një gjest mirësjelljeje.

Ndërsa punonjësi i policisë është shprehur se fillimisht ai e ka keqkuptuar këtë veprim ndaj gruas së tij, dhe ka dashur ta sqarojë, por nuk e ka kontrolluar dot veten, raporton “Panorama”.

Ai ka sqaruar për grupin hetimor se i ka kërkuar edhe ndjesë të dëmtuarit dhe se në asnjë moment nuk ka përfituar nga detyra lidhur me këtë ngjarje. Hetimi ndaj kontrollorit të doganës ka nisur për “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Dje reagoi edhe Policia, e cila përmes një deklarate zyrtare ka njoftuar pezullimin nga detyra të punonjësit.

Ka qenë Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë, e cila pasditen e së enjtes pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor Gjergji Gjorgjin, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor në SPKM Pustec.

“Pak ditë më parë ndaj tij, zyra e SHÇBA së Korçës kishte marrë një kallëzim nga shtetasi I.T., për ushtrim dhune psikologjike dhe fizike. Nga veprimet e para hetimore është konkluduar se ka pasur një konflikt fizik mes punonjësit të Policisë dhe kallëzuesit, por në momentin e konfliktit punonjësi i policisë nuk ka qenë në detyrë apo shërbim”, bëri të ditur Policia.

Denoncimi është bërë nga familjarët e të dëmtuarit dhe në ambientet e spitalit kanë mbërritur specialistët e SHÇBA-së dhe Prokuroria për të nisur hetimin. Ndërkohë që nga mjeku ligjor masakrimi i tij është klasifikuar si plagosje e lehtë. Hetimi ka zgjatur mbi dy javë dhe deri në momentin kur vetë i dëmtuari ka kërkuar ndihmë për të bërë publik rastin, nuk ishte marrë asnjë vendim konkret ndaj mbajtësit të uniformës shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat