BE ndan 3.5 mln euro për pushtetin vendor në Shqipëri

Shqipëria

BE ndan 3.5 mln euro për pushtetin vendor në Shqipëri

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 18:39
BE ndan 3.5 mln euro për pushtetin vendor në Shqipëri

Një fond prej 3.5 milionë eurosh shkon për reformën administrative-territoriale. Shuma është kontribut i Bashkimit Evropian në kuadër të projektit STAR 2 si pjesë e zgjerimit të bashkëpunimit mes BE-së dhe Shqipërisë.

Marrëveshja u nënshkrua nga z.Yngve Engstroem, Shef i Bashkëpunimit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Brian Williams, Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri.

Ky financim do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative të njësive të qeverisjes vendore, rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve vendore dhe qeverisjes së mirë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Ndërhyrjet e STAR 2 do të kontribuojnë edhe në objektivin strategjik  të Shqipërisë atë të përparimit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Autoritetet lokale dhe rajonale janë vital për jetën demokratike të Bashkimit Evropian dhe aktorë kyç në konceptimin dhe implementimin e politikave të përbashkëta evropiane. Pritshmëria jonë është që ky kontribut i BE  të rezultojë me përmirësim të cilësisë së demokracisë vendore dhe të ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset”, tha Engström, në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian.

Brian Williams, Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri nënvizoi se “Ky është kontributi i fundit për këtë vit që do të thotë se të gjithë partnerët kanë kontribuar fondet e tyre. Jemi shumë të kënaqur që Bashkimi Evropian i është bashkuar STAR 2 dhe mendojmë se është një “votë” besimi për këtë projekt dhe për këtë reformë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat