Sot votohet koncesioni i pullave të ilaçeve, ja sa rritet çmimi i medikamenteve

Shqipëria

Sot votohet koncesioni i pullave të ilaçeve, ja sa rritet çmimi i medikamenteve

Më: 22 dhjetor 2016 Në ora: 10:06
Kuvendi i Shqipërisë, foto arkiv

Qeveria Rama ka vendosur të rrisë çmimin e pullës fiskale që i vihet me detyrim barnave që tregtohen në vend. Për këtë ajo ka përgatitur një projekt-ligj i cili pritet të miratohet në seancën e sotme të Kuvendit, seanca e fundit për këtë vit.

Aktualisht çmimi i pullës fiskale është 6 lekë për pullë, qeveria ka vendosur ta ndryshojë çmimin në 2,4 për qind të çmimit. Kjo do të thotë se do të rritet çmimi i pullës fiskale për çdo bar më të shtrenjtë se 240 lek. Për barnat e shtrenjta, çmimi i pullës do të rritet në mënyrë të ndjeshme deri në dhjetra herë.

Kjo rritje do të çojë patjetër në rritjen e çmimit të barnave dhe nëse kemi parasysh përvojën e mëparshme, rritja do të jetë më e madhe se rritja e çmimit të pullës, raporton exit.

Ndikimi më i madh do të jetë për pensionistët, të cilët jo vetëm harxhojnë më shumë barna se të tjerët, por janë gjithashtu shtresa me të ardhura më të pakta.

Qeveria e justifikon ndryshimin e çmimit me ndryshimin e llojit të pullës që do të përdoret — pullës do t’i rritet sistemi i sigurisë. Por, pas këtij justifikimi, fshihen shkelje flagrante të ligjit që përbëjnë një skandal të pastër.

Në vitin 2011, qeveria vendosi të jepte me koncesionin prodhimin, vendosjen, monitorimin dhe gjurmimin e pullave fiskale për produktet e akcizës, përfshi produktet e alkoolit dhe të duhanit, si dhe për barnat mjekësorë.

Elementi kryesor në konkurrim ishte çmimi i ofruar nga kompanitë e interesuara. Fituese u shpall kompania zvicerane Sicpa Solutions s.a. e cila ofroi çmimin fillestar prej 2,4 lekë për çdo pullë fiskale.

Qeveria nënshkroi kontratën koncesionare me Sipca, e cila nuk u publikua asnjëherë në fletoren zyrtare, duke përbërë jo vetëm një skandal por edhe duke e bërë të pavlefshme kontratën.

Tani qeveria po ndërmerr një hap krejtësisht të paligjshëm, duke ndryshuar një kontratë koncesionare në mënyrë të paligjshme.

Ndryshimi i çmimit të pullës cënon krejtësisht konkurrencën, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e konkurrimit për dhënien e koncesionit: është skandal që fituesi të përzgjidhet në bazë të çmimit më të ulët dhe pas përzgjedhjes, fituesit të lejohet të aplikojë një çmim më të lartë.

Skandali është më i vjetër sesa ndryshimet e fundit: në vitin 2011 koncesionari e fitoi konçesionin duke ofruar çmimin 2,4 lekë për pullë; por në vitin 2013 qeveria, në mënyrë të pashpjegueshme dhe me gjasa korruptive, e rriti çmimin në 6 lekë, gati tre herë më lartë.

Kjo është një rritje skandaloze në më pak se dy vjet, pasi konçesionari kishte marrë përsipër ta ofronte pullën me çmimin prej 2, 4 lek.

Nëse qeveria justifikohet se do të ndryshojë llojin e pullës fiskale të barnave që do përdoret — ç’ka është e paqartë dhe shumë e dyshimtë, nëse është e vërtetë– ajo duhet të zhvillojë një procedurë të re koncesionare, pasi bëhet fjalë për një produkt tjetër nga ai i koncesionit fillestar dhe jo të ndryshojë kontratën ekzistuese.

Por skandali më i madh është vendosja e çmimit të pullës si përqindje dhe jo me vlerë fikse. Edhe pse kostoja e pullës dhe e shërbimit të monitorimit të saj është fikse, çmimi i pullës do të ndryshojë në varësi të çmimit të barit.

Aktualisht të adhurat e kompanisë nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit. Ndërsa me formulën e re koncesionari do të marrë rreth 5, 3 milionë euro.

Skandali thellohet pasi me ndryshimet e reja të bëra nga qeveria, koncesionarit i garantohet kjo shumë edhe nëse vlera e tregut farmaceutik në vend bie nën vlerën aktuale prej 128 milionë euro në vit.

Ndryshe nga më parë, kur pagesën e pullës fiskale e bënin vetë importuesit apo prodhuesit e barnave, kontrata e re e propozuar nga qeveria parashikon që pagesa koncesionarit do t’i bëhet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Kontrollit të Pajisjeve.

Koncesionarit kontrata e re i jep të drejtën të ndërpresë furnizimin me pulla fiskale për barnat, nëse Agjencia Kombëtare e Barnave nuk i paguan atij të gjitha faturat. Koncesionari nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e këtij bllokimi.

Kontrata madje nuk i njeh koncesionarit asnjë përgjegjësi për vonesa apo probleme të shkaktuara prej vetë tij në përmbushjen e detyrimeve të kontratës, të cilat, në fakt, ndikojnë në ecurinë e tregut të barnave në vend.

Çfarëdo që të ndodhë, sido që të punojë, koncesionari ka të garantuar pagesën e tij dhe nuk ka asnjë detyrim tjetër.

Në të vërtetë, të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh se ndryshimi i kontratës, i lënë qëllimisht për ditën e fundit të sesionit të Kuvendit për vitin 2016, është bërë për përfitime klienteliste dhe korruptive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat