Blushi për vdekjen e Estref Halilit: Askush nuk mban përgjegjësi për ta, askush nuk kërkon ndjesë

Shqipëria

Blushi për vdekjen e Estref Halilit: Askush nuk mban përgjegjësi për ta, askush nuk kërkon ndjesë

Nga: Bota Sot Më: 5 janar 2017 Në ora: 11:20
Themeluesi i LIBRA-s Ben Blushi

Themeluesi i LIBRA-s, njëkohësisht deputeti Ben Blushi ka reaguar në lidhje me vetëvrasjen e të riut, Estref Halili, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në burgun e Rrogozhinës.

Përmes një postimi në Facebook, Blushi ka thënë se në “Republikën e kanabisit” askush nuk mban përgjegjësi për Estrefin dhe Arditin, derisa uron të mos ketë më viktima të tilla.

Reagimi i plotë i Ben Blushit:

Ky është Estref Halili, që u vetëvra në burgun e Rrogozhinës pasi kishte përfunduar aty për një cigare hashash. Nuk është i pari që humb jetën në besë të shtetit që duhet ta mbronte.

Para tij i ka ndodhur Ardit Gjoklajt në Sharrë apo Isufit që nuk kishte paguar faturën e energjisë dhe përfundoi si Estrefi.

Askush nuk mban përgjegjësi për ta. Askush nuk ikën nga puna, askush nuk kërkon ndjesë, askush nuk i ngushëllon. Në Republikën tonë nuk ka asnjë investitor të fushave me kanabis në burg. Ata mbrohen nga shteti.

Ndërsa djem si Estrefi kalben në burg se kanë pirë cigaret që shiten me licence shtetërore. Kjo është Republika e Kanabisit.

Po të mbjellësh një arë je i lirë, po të shesësh një ton je i mirë, po të blesh një gram je i grirë, po të pish një cigare je i fshirë. Ngushëllime familjes së Estrefit. Shpresoj të jetë i fundit!/BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat