26-vjetori i RD, Basha: Kjo është qeveria e mjerimit, media të na bashkohet për zgjedhje të lira

Shqipëria

26-vjetori i RD, Basha: Kjo është qeveria e mjerimit, media të na bashkohet për zgjedhje të lira

Më: 5 janar 2017 Në ora: 18:54
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Në 26-vjetorin e themelimit të gazetës së parë opozitare “Rilindja Demokratike”, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu drejtua mediave me një kërkesë konkrete. Gjatë fjalës së tij në pritjen e organizuar për këtë rast, kryedemokrati i kërkoi mediave që të angazhohen bashkërisht për zgjedhje të lira dhe ndershme.

“Korrupsioni në sistem, krimi, klientelizmi, janë dorashkat që na ka hedhur në fytyrë pushteti. Edhe kur kapet duke abuzuar me presh në duar, me fakte e shifra të pakundërshtueshme, na thotë ne e çdo qytetari pse hidhni baltë. Kjo është qeveria që i kërkon popullit të këndojë për të. Ky është cinizmi i qeverisë.

Diversiteti i opinioneve si vlerë e jashtëzakonshme, por jo si mjegulla për të fshehur akte konkrete. E kam fjalën për të vërtetat e thjeshta. Nuk ka dy të vërteta për drogën, ka vetëm një. Kujt ia paguajnë paratë për çdo rrënjë drogë trafikantët? Ka vetëm një të vërtetë për këtë. Kudo ku vidhet në tendera e koncesione janë njerëzit e kryeministrit e të pushtetit. Kudo ku lartësohen ndërtime pa leje, kudo ku përvetësohen prona publike në mënyrë kriminale, janë njerëzit e lidhur me pushtetin. Nuk ka dy të vërteta për rrogat e pensionet. Nuk ka asnjë rritje. Nuk ka dy të vërteta për hapjen e negociatave. Nuk janë përmbushur kushtet. Nëse nuk ka zgjedhje të lira, nuk mund të ketë integrim.

Dua t’i bëj thirrje mediave të vendit përfshirë mediat kritike ndaj opozitës, të bashkohemi sot për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të luftojmë së bashku për të zhdukur njëherë e mirë blerjen e votës,si një atentat që i bëhet zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dua ta pohoj para jush; prej të vërtetës ekzistojmë dhe prej asaj do të fitojmë. Kam qenë dhe jam kurdoherë i hapur me mediat dhe bashkëpunues. Misioni im e përfshin këtë dimension. Refuzimi i kritikës është refuzim i vet idesë së ndryshimit. Kjo është një nga pikat ku unë dua të bëj ndryshim. Besoj që kjo ditë të shënojë bashkëpunimi e ri të opozitës me median. Gëzuar ditë e shtypit të lirë”, tha Basha.

Teksa shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë punonjësit e medias, Basha tha se ishte i hapur edhe ndaj mediave kritike të opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat