Balla: Shokun e Xenit ma sillni me forcë në Komision, ka vjedhur 7 milionë euro

Shqipëria

Balla: Shokun e Xenit ma sillni me forcë në Komision, ka vjedhur 7 milionë euro

Më: 10 janar 2017 Në ora: 13:08
Kreu i Komisionit të Posaçëm Hetimor të aferës së CEZ, Taulant Balla

Kreu i Komisionit të Posaçëm Hetimor të aferës së CEZ, Taulant Balla ka kërkuar që sekseri i dyshuar i marrëveshjes së privatizimit të OSSH, të sillet forcërisht të dëshmojë në komision.

Deklaratat Balla i bëri nga mbledhja e sotme ku Nue Kalaj, personi i akuzuar se ka luajtur rolin e sekserit, nuk është paraqitur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor. Kjo ka sjellë për pasojë edhe kërkesën e bërë nga Balla drejtuar policisë që ta sjellë forcërisht. 

Sipas Ballës, i akuzuari ka kryer transaksione dhe tërheqje të dyshimta si shpërblim për këtë privatizim. Këto transaksione, referuar asaj që tha Balla, mësohet se kapin një vlerë që shkon deri në 7 milionë euro. 

Kjo aferë për deputetin socialist erdhi si pasojë e miqësisë së ngushtë që kanë Shkëlzen Berisha dhe shtetasi Nuel (Nue) Kalaj.

"Komisioni Hetimor për privatizimin e OSSH tek CEZ sot ka administruar prova shumë të rëndësishme lidhur person Nuel (Nue) Kalaj i cili sipas dëshmive të deritanishme ka qenë "sekseri" i martesës së qeverisë shqiptare të Sali Berishës me kompaninë CEZ.  Komisioni ka administruar llogari bankare të Nue Kalajt i cili ka marrë nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro. Dhe këto shuma më pas i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009. Komisioni po heton pse CEZ i ka bërë këto transferta tek ky individ dhe ku i ka çuar paratë cash Nue Kalaj mik i ngushtë i djalit të Sali Berishës, Shkëlzen Berisha", u shpreh Balla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat