Vdekja e endacakut, LSI sulmon Dakon: 58 mln euro për 3 sheshe dhe nuk ndërton banesa!

Shqipëria

Vdekja e endacakut, LSI sulmon Dakon: 58 mln euro për 3 sheshe dhe nuk ndërton banesa!

Më: 12 janar 2017 Në ora: 08:37
Endacaku që vdiq nga të ftohtit

*Buxheti i bashkisë 32 milionë Euro, duhet të përcaktohet fond për shërbimin ndaj kësaj shtrese!  

Edlira Hyseni, këshilltare e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ka deklaruar se vdekja e një personi nga i ftohti në lulishte, është ngjarje që tregon se shërbimet publike dhe sociale të bashkisë së Durrësit nuk shkojnë te shtresat që kanë më shumë nevojë.

Ekonomistja e LSI-së, e cila ka analizuar me detaje buxhetin e bashkisë për vitin 2017, deklaroi se të ardhurat nga taksat e qytetarëve janë parashikuar në masën 32 milionë Euro, shifër kjo, më e larta e 5 viteve të fundit. 40 % e buxhetit ose 58 milionë euro, shkojnë për investime publike në tre sheshe publike, te “Veliera”, Mauzoleumi i Dëshmorëve dhe një shesh te Shkëmbi i Kavajës, ç'ka do të thotë se zërat e tjerë paraqesin mangësi të mëdha, në mbulimin me shërbime dhe me investime.

“Ne mendojmë që një bashki si Durrësi me të tilla fonde në dispozicion, i ka mundësitë për të ndërtuar shtëpia apo streha për të pastrehët. Shtresat në nevojë preken nga fatkeqësitë natyrore, për t’i parandaluar duhet bërë më shumë, duke i planifikuar fondet në buxhetin e 2017-s. Ne do të kërkojmë në mbledhjen e ardhshme çfarë ka menduar bashkia? 58 milionë euro shkojnë për tre sheshe, dhe nuk u është gjetur asnjë zgjidhje ndaj të pastrehëve apo të braktisurve në rrugë”, është mendimi i këshilltares së LSI-së, Hyseni.

LSI, në mbledhjen e fundit të 2016-s, ngriti kartonët e kuq ndaj buxhetit të bashkisë, me pretendimin se këshilltarët nuk ishin njohur me draftin, me shpërndarjen e fondeve dhe as nuk ishte diskutuar ky draft më herët me grupet e interesit, duke kërkuar kohë për analizimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat