Eficenca e energjisë, Gjermeni: Reduktohet fatura e energjisë

Shqipëria

Eficenca e energjisë, Gjermeni: Reduktohet fatura e energjisë

Më: 15 janar 2017 Në ora: 10:59
Pamje nga vizita

16 familje në qytetin e Përrenjasit këtë dimër e kanë kaluar në shtëpi më të ngrohta dhe me fatura të energjisë elektrike 50% më të ulta.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni e shoqëruar nga kryebashkiakja e Përrenjasit, Miranda Rira dhe deputeti socialist, Taulant Balla kanë vizituar disa prej familjeve që jetojnë në pallatin e ndërtuar në vitin 1973, që u rikonstruktua me parametra të eficiencës së energjisë, një projekt i Ministrisë së Zhvillimit Urban, me vlerë 9.8 mln lekë.

“Bashkia Përrenjas është një nga 6 bashkitë përfituese që morën fonde nga programi i eficienës për vitin 2016. Janë 16 familje që jetojnë në këtë godinë që jo vetëm falë ndërhyrjeve të kryera do të jetojnë në shtëpi, që e ruajnë nxehtësinë në dimër dhe freskinë në periudhën e verës, por dhe do të paguajnë 50 % më pak në faturat e tyre të energjisë. E sa i takon Përrenjasit, ne kemi mbështetur edhe hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për këtë bashki, plan që pritet të kalojë në Këshillin Bashkiak brenda Janarit. Më vjen mirë të konfirmoj që bashkia Përrenjas ka marrë edhe vëmendjen e Rilindjes Urbane. Një projekt i hartuar nga bashkia do të nisë punën së shpejti, ndërsa do të mbështesim edhe një tjetër projekt të rëndësishëm dhe ambicioz për këtë qytet(rikuafilikimi i qendrës së qytetit)”, tha Ministrja në deklaratën e saj pas takimit me banorët.

Sipas deputetit Balla, këto investime i japin bashkisë së Përrenjasit një tjetër pamje dhe krijojnë kushte më të mira për banorët dhe bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e kësaj bashkie.

Që prej vitit 2014 Ministria e Zhvillimit Urban ka angazhuar një fond të veçantë nga buxheti i saj dedikuar rikonstruksionit me elementë të efiçencës së energjisë në ndërtesa me funksion banimi të ndërtuara para viteve 90-të.

Janë 151 familje në 9 bashki të vendit, të cilat në harkun kohor të këtyre dy viteve kanë përfituar nga zbatimi i këtyre projekteve dhe sot paguajnë 50% më pak në faturat e tyre të energjisë.

Për vitin 2017 në buxhetin e MZHU-së është parashikuar një fond prej 260 mln lekë për investime për programet e strehimit. Është parashikuar që ky fond t’i shkojë në ndihmë rreth 740 qytetarëve të komunitetit Rom dhe Egjyptian nëpërmjet ndërhyrjeve direkte në banesat e tyre dhe garantimin e strehimit për të paktën 155 familje të pastreha nëpërmjet programit për rehabilitimin e banesave ekzistuese. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat