‘Si të ruheni nga virozat e stinës dhe gripi’, - flet mjekja

Shqipëria

‘Si të ruheni nga virozat e stinës dhe gripi’, - flet mjekja

Më: 16 janar 2017 Në ora: 08:32
Ilustrim

Rreth 13 për qind e shqiptarëve janë të prekur nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, që ndryshe njihet si SPOK, ndërkohë që virozat dhe gripi, që janë karakteristikë e kësaj periudhe të vitit, rëndojnë mjaft shëndetin e këtyre pacientëve”.

Gjithçka bëhet me dije nga shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages” shpjegon në detaje sesi mund të ruhen këta pacientë gjatë stinës së ftohtë. Gjithashtu, ajo jep një sërë këshillash për të evituar prekjen nga kjo sëmundje, duke e vënë theksin te mospirja e duhanit. Sipas Balës, pirja e mbi 10 cigareve në ditë, për një periudhë mbi 10-vjeçare, rrit ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga kjo patologji e rrugëve të frymëmarrjes.

Doktoreshë, çfarë është sëmundja e SPOK-ut?

Sëmundja e SPOK-ut përkthehet si një sëmundje kronike obstruktive e mushkërive që ka të bëjë me një sëmundje kronike të rrugëve ajrore. Është një nga sëmundjet më invalidizuese dhe që ka një impakt shumë të madh, qoftë të kostos për spitalin, qoftë për shtetin, për faktin se pacientët duhet të marrin një mjekim të vazhdueshëm, gjë që subvencionohet nga shteti.

Cilët janë personat më të predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje?

Grupi më i madh i pacientëve, në anamnezën e tyre kanë duhanpirjen kronike me një numër të lartë cigaresh dhe me një duhan të pakontrolluar. Në shkaqet e tjera radhiten: puna me orare të gjata në ambiente të ndotura me pluhura dhe kimikate si dhe infeksionet e rrugëve respiratore të përsëritura, të pavlerësuara, të pamjekuara në mënyrë kronike. Gjithashtu është edhe mënyra sesi është rritur dhe zhvilluar bebja në barkun e nënës. Pra, është një bebe që ka lindur nga një nënë duhanpirëse dhe që ka një keqformim të rrugëve ajrore apo një bebe që ka pasur vuajtje fetale nga ushqimi me oksigjen si rezultat i një nëne që ka konsumuar duhan për një kohë të gjatë. Po ashtu, mund të jetë sëmundje e trashëgueshme, që lidhet me deficitin e një enzime që është Alpha 1 Antitripsina, e cila sintetizohet në mëlçi dhe rrugët ajrore. Ju thatë që duhet pirë një sasi e madhe duhani në mënyrë që të jemi të rrezikuar nga prekja e SPOK-ut.

Sa është kjo sasi?

Një duhanpirës problematik konsiderohet kur pi mbi 10 cigare e që mund të quhet pirës i mesëm, ndërsa mbi 20 cigare është duhanpirës i madh.

Cilat janë moshat që preken më shpesh?

Moshat ndryshojnë në varësi të faktorit etiologjik. Në qoftë se do të kemi një deficit të Alpha 1 Antitripsinës, që në fëmijërinë e hershme pacienti do të shfaqë infeksione të përsëritura të rrugëve ajrore, të cilat në vite të njëpasnjëshme do të fillojnë të kufizojnë funksionin e mushkërisë te pacienti. Ndërsa, për një duhanpirës, për të vendosur SPOK-un, pacienti duhet të konsumojë mbi 10 vite duhan. Pra ka të bëjë koha e ekspozimit, qoftë në ambientet e ndotura të punës, qoftë dhe e vesit të duhanpirjes.

Cilat janë disa nga shenjat e kësaj sëmundjeje? Pra, kur një person duhet të mendojë që është i prekur nga SPOK-u?

Normalisht sëmundjet e rrugëve ajrore pak a shumë kanë shenja të ngjashme. Simptomat kryesore janë kolla e shoqëruar me gëlbazë dhe vështirësia në frymëmarrje. Asnjëherë pacienti nuk e vlerëson kollën dhe shoqërimin e kollës me gëlbazë. Gjithmonë ia atribuojnë duhanit ose ambientit të punës dhe mendon se vuan nga një bronkit. Prandaj, më përpara ne i diagnostikonim vonë këta pacientë. Por, me sensibilizimin dhe fushatat depistuese bëjmë diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Pacientët, në qoftë se nuk kanë shkuar te mjeku dhe nuk e kanë vlerësuar, vijnë te mjeku kur shfaqin pamjaftueshmëri në frymëmarrje, e cila është e shkallëve të ndryshme. Ka pasur raste që kanë ardhur në stadin e katërt të SPOK-ut dhe normalisht kanë qenë për herë të parë që janë paraqitur te mjeku. Këta janë pacientë fatkeqë për faktin se kufizimi i funksionit respirator të tyre është në stadet përfundimtare, dhe këta pacientë, krahas kufizimit të funksionit respirator, instalojnë dhe insuficienca respiratore, duke u bërë jo vetëm të lidhur nga terapia farmakologjike, por edhe nga ajo e oksigjenit.

Sa e rëndësishme është që kjo sëmundje të kapet në fazat e hershme?

Kapja e SPOK-ut në stadin e parë dhe të dytë është fatmirësisht e rikuperueshme. Dikur konsiderohej si një sëmundje kronike e parikthyeshme. Sot ky koncept ka ndryshuar. Një pacient mund ta rikuperojë funksionin e tij respirator, në qoftë se e kapim në stadin e parë dhe të dytë. Stadi i tretë, i cili normalisht nëse bën më shumë se 3 riakutizime gjatë vitit, konsiderohet si një pacient i cili po shkon drejt varësisë së oksigjenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat