Sivjet nis ndërtimi i interkonjeksionit midis Shqipërisë e Maqedonisë

Shqipëria

Sivjet nis ndërtimi i interkonjeksionit midis Shqipërisë e Maqedonisë

Më: 17 janar 2017 Në ora: 15:12
Ilustrim

Komisionet parlamentare diskutuan sot marrëveshjen e financimit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, projekt i cili parashikohet të nisë këtë vit e të finalizohet deri në vitin 2020.

Projektligji parashikon ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar 2016 për projektin “Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri-Maqedoni (zgjerim)”, nëpërmjet të cilës qeveria e Gjermanisë i jep mundësi palës shqiptare të marrë një hua me kushte të favorshme nga KFW, me vlerë deri në 20 milion euro për projektin që në total parashikohet të kushtojnë 70 milion euro.

Kjo është marrëveshja e dytë e huas që merret për këtë projekt, pas huasë së parë në vlerë 30 milionë euro. Krahas huave, qeveria shqiptare do të mbështesë projektin me 5 milion euro ndërsa pjesa e mbetur do të mbështetet nga fondet e Bashkimit Europian.

Ky projekt, si pjesë e korridorit Lindje-Perëndim, do të mundësojë lidhjen direkte të sistemeve të energjisë të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë dhe do të përmirësojë lidhjen e sistemit të shqiptar energjisë me rajonin.

Projekti parashikon një lidhje që shtrihet nga Fieri në Shqipëri deri në Manastir (Bitola) në Maqedoni. Nga ky financim mundësohet ndërtimi i linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Bitola afërsisht 151 kilometra, nga të cilat 56 kilometra janë në territorin shqiptar, zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2, ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier si dhe zgjerimin e nënstacionit 220 kV Fier e lidhjen me rrjetin e transmetimit.

Në pikëpamjen strategjike, vlerësohet se projekti përforcon lidhjet interkonjektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe transitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën jugore të Shqipërisë, ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike dhe si pjesë e infrastrukturës së korridorit të tetë evropian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabullit nënujor me Italinë.

Projekti do të ketë impakt të rëndësishëm në krijimin e mundësive tregtare për shkëmbime ekonomike të energjisë elektrike nëpërmjet vendeve të rajonit dhe në ndarjen e rezervës së kapaciteteve që do të kontribuojë në një siguri më të madhe të funksionimit të sistemeve elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Po ashtu, projekti mundëson suport të ndërsjellë në raste emergjente dhe − shfrytëzim optimal të burimeve të rajonit që rezultojnë me kosto më të ulët të energjisë elektrike si dhe reduktim të kostos së gjenerimit të energjisë elektrike.

Nga ana tjetër, krijon kushte për lidhje në rrjetin e transmetimit të burimeve të reja (TEC me gaz në zonën e Korçës me përfundimin e projektit TAP dhe burimeve të rinovueshme diellore dhe me erë) si dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik të rajonit Jugor të Shqipërisë për shkak të furnizimit më të mirë me energji elektrike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat