Vendimi i zbardhur për pronat, Qato: S’preket skema e kompensimit

Shqipëria

Vendimi i zbardhur për pronat, Qato: S’preket skema e kompensimit

Më: 18 janar 2017 Në ora: 10:15
Sonila Qato

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vetëm pikën 3 dhe pikën 5 të nenit 6 të ligjit, duke i konsideruar ato si në kundërshtim me kushtetutën, pasi prekin parimin e sigurisë juridike. Por për Qaton ky vendim prek vetëm dosjet që presin njohje të pronësisë dhe jo thelbin e ligjit. Ajo ka siguruar se ligji do vijojë të zbatohet si deri më tani dhe se ai nuk do pësojë ndryshime të tjera

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin e plotë për ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me anë të të cilit ka rrëzuar pikën 3 dhe 5 të nenit 6 të këtij ligji. Gjykata ka bërë të ditura kështu argumentet e saj, ku ka theksuar se pavarësisht qëllimit të qeverisë për të mbrojtur interesin publik, ligji në pjesë të tij cenon parimin e sigurisë juridike. Sipas këtij vendimi “ajo çka nuk përmbush kërkesat e interesit publik është vetëm privimi i pronësisë që është haptazi i pabazuar”. Kështu sa i përket pikës 3 dhe pikës 5 të ligjit, Gjykata vlerëson se këto dy pika, sipas përmbajtjes së tyre, “të çojnë në përfundimin se ato janë konceptuar si një shpronësim i ri duke qenë se parashikojnë rivlerësimin e pronave të kthyera ose të kompensuara më parë. Në këtë këndvështrim, këto dy dispozita krijojnë probleme lidhur me sigurinë juridike konkretisht për sa i takon paqartësisë dhe paparashikueshmërisë së legjislacionit”.

Sipas Gjykatës, parashikimi i rregullimeve të përsëritura dhe të pakoordinuara midis tyre në thelbin dhe pasojat që ato sjellin krijojnë paqartësi dhe për rrjedhojë cenojnë parimin e sigurisë juridike. Në këto kushte, Gjykata çmon se përmbajtja e pikave 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit 133/2015 nuk është në pajtim me parimin e sigurisë juridike, pasi përllogaritja e sipërfaqes së përfituar dhe asaj që do të zbritet ose shtohet sipas formulës së parashikuar në pikën 1 të nenit 6 është e paqartë dhe krijon konfuzion në zbatim sa iu takon pritshmërive të shtetasve. Lidhur me pjesën tjetër të ligjit “nisur edhe nga analiza e Komisionit të Venecias, Gjykata vlerëson se ligji objekt shqyrtimi pavarësisht se parashikon një metodologji të re vlerësimi për kompensimin fizik dhe financiar të ish-pronarëve, e cila megjithëse rezulton në ndërhyrje në të drejtën e pronës dhe mund të mos iu përgjigjet pritshmërive të subjekteve që prek ligji, rezulton se në tërësinë e tij respekton proporcionalitetin e ndërhyrjes në të drejtën e kompensimit të pronës ish-pronarëve dhe si e tillë është në respektim të nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së”.

Por pavarësisht se ky vendim prek dy pika të rëndësishme të nenit 6, drejtorja e Agjencisë për Kompensimin e Pronës, Sonila Qato, thekson se ato nuk cenojnë thelbin e ligjit.

Në një intervistë për  MAPO ajo sqaron se Gjykata në tërësinë e vet ka vlerësuar ligjin si në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën e të Drejtave të Njeriut, ndërkohë që pikat e rrëzuara prekin vetëm dosjet që presin vendim njohje të pronës. Për rrjedhojë ajo shprehet se rrëzimi i këtyre dy pikave nuk bën fare të rëndësishme ndryshimet e tjera ligjore, pasi çështjet që preken mund të rregullohen vetëm me ndryshime të akteve nënligjore.

Intervista

Zonja Qato, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e marrë disa muaj më parë lidhur me ligjin për trajtimin dhe kompensimin e pronës. A jeni njohur me këtë vendim të zbardhur dhe çfarë do të thotë ai për thelbin e ligjit dhe formulën e re të kompensimit të pronave?

Së parë, të falënderoj pasi do doja dhe unë të sqaroja dhe disa interpretime që janë bërë në media mbi këtë vendim. Së dyti, edhe ne kemi pak orë që e kemi në dorë dhe nga ajo që kemi parë na rezulton se praktikisht skema e re e kompensimit të pronarëve nuk preket, pra, vazhdon i njëjti kompensim që kemi ndjekur gjatë këtyre muajve, referuar momentit të shpronësimit. Ndërkohë që pika 5 e nenit 6, e cila afekton këtë skemë të re në procesin e njohjes së pronësisë, të kompensimit fizik në pronën e njohur, kjo pikë mbetet për t’u riparë nga qeveria për ta riazhurnuar ligjin me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por në thelb skema e kompensimit të pronarëve, që është neni 6 pika 1, që është thelbi i gjithë ligjit nuk është ndryshuar, është ruajtur nga Gjykata Kushtetuese.

Në praktikë nuk ndikon?

Në praktikë, çfarë kompensimesh janë bërë deri më tani me skemën e re do të vazhdojmë t’i bëjmë po njësoj, nuk ndikon, nuk ndryshon. Pra, kompensimi financiar ose fizik i pronarëve bëhet duke vlerësuar pronën në kohën e shpronësimit sipas formulës së miratuar në ligj. Sa i përket njohjes së pronësisë, pra, për vendimet që presin për njohjen e pronës këtu preket nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pra, pika 5 është kjo e nenit 6.

Rrëzimi i kësaj pike e pengon zbatimin e ligjit në vijimësi?

Jo. Natyrisht që ne do t’i dërgojmë një relacion qeverisë se si zbatohet ligji tashmë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndërkohë po reflektohet ky vendim shfuqizimi në disa pika të akteve nënligjore të ligjit që ne zbatojmë në implementimin e ligjit. Pra, ka nevojë për ndryshime të akteve nënligjore dhe nuk ka nevojë për ndryshime ligjore të tjera. Këto janë pika që nuk na shqetësojnë në punën e përditshme. Por VKM-të në zbatim të ligjit natyrisht që preken ndaj dhe do të ndryshohen.

Por kryeministri disa javë më parë do të deklaronte se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte cenuar ligjin në thelbin e vet…

Po sigurisht është cenuar se pika 5 e nenit 6 të ligjit implementonte formulën edhe në procesin e trajtimit të kërkesave për njohje pronësie, pra, ato dosje që nuk kanë marrë asnjëherë vendim nga Agjencia për Kompensimin e Pronës në terminologjinë e vjetër, pasi tashmë termi është ndryshuar se kthimi është kompensim fizik në pronën e njohur. Në këtë shtyllë të aktivitetit të Agjencisë ka një lloj ndryshimi, pra nuk impelementohet skema. Edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese po të shikojmë në gjithë trupin e argumentimit mbrohet fakti që ligji është pro Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të nenit 1 të Protokollit 1. Po të lexojmë pikën 47 të vendimit thuhet se ligji është pro Konventës dhe pro Kushtetutës. Pra, nuk rrëzohet ligji. Sigurisht Gjykata ka parë të arsyeshme të rrëzojë vetëm një pikë, pra pikën 5 të nenit 6, pasi pika 3 nuk ka ndonjë vlerë pasi ka qenë një dispozitë që mbulohet nga dispozitat e tjera të ligjit dhe nuk ndryshon asgjë në thelb. Sa i përket pikës 5 qeveria duhet të ndërmarrë disa veprime të azhurnuara në kuadrin nënligjor. Sigurisht që ajo që ka thënë kryeministri prek këtë pjesë, por nuk prek ligjin në thelb, ligji është kushtetues, ky është përfundimi në përgjithësi.

Pra, po thoni që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka prekur thelbin e skemës së re të kompensimit të pronave dhe se ligji do vijojë të zbatohet ashtu sikurse edhe këta muaj?

Ideja është që Kushtetuesja nuk ka prekur thelbin e skemës së ligjit të ri të kompensimit të pronarëve. I gjithë problemi i vendit tonë në kuadrin e kompensimit të pronarëve është se ata asnjëherë nuk janë kompensuar në këta 25 vjet. Kjo ka qenë dhe çështja në Strasburg dhe problemi i shtetit shqiptar. Pra skema e kompensimit të pronarëve qoftë financiar ashtu edhe fizik i përcaktuar në ligjin e ri nuk ndryshon me vendimin e Gjykatës.

Vendimi për pronat, si votuan 8 gjyqtarët kushtetues

Gjykata Kushtetuese duket se nuk e ka pasur shumë të lehtë vendimmarrjen e saj për ligjin e pronave. Opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka bindur anëtarët e saj të unifikojnë qëndrimet dhe siç bëhet e ditur në vendimin e zbardhur ata janë ndarë në tri grupe qëndrimesh. Kështu pro vendimit për rrëzimin e pjesshëm të ligjit të pronave kanë votuar anëtarët, Vitore Tusha, Fatos Lulo dhe Fatmir Hoxha, Gani Dizdari dhe Vladimir Kristo. Por jo të gjithë ata kanë qenë dakord dhe mbi të gjitha me arsyetimin. Kështu sipas vendimit të zbardhur gjyqtari Fatmir Hoxha është shprehur dhe për shfuqizimin e fjalëve “kthim dhe” në pikën 1 të nenit 6 dhe shkronjës “b”, pika 1 të nenit të mësipërm dhe pikën “a” dhe “b” të nenit 7. Ndërkohë që anëtarët, Gani Dizdari dhe Vladimir Kristo kanë qenë për të rrëzuar të gjithë ligjin si antikushtetues, pasi fryma dhe qëllimi i tij real nuk iu përgjigjet kërkesave kushtetuese të parashikuara në nenet 41, 42 dhe 17 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së, si dhe praktikës së vazhdueshme të GJEDNJ-së dhe Gjykatës Kushtetuese. Gjithsesi, ata në vendimin e zbardhur shprehen se “bashkohemi me qëndrimin e shumicës për shfuqizimin si antikushtetues të nenit 6, pika 3 dhe 5, të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, por nuk bashkohemi me linjën e arsyetimit që ka ndjekur shumica në këtë vendim, si dhe me rrëzimin e kërkesës sa iu takon pjesës tjetër të kërkimeve, sipas objektit të kërkesës. Ne gjyqtarët në pakicë jemi të qëndrimit që Gjykata duhej të kishte deklaruar antikushtetues ligjin në tërësi”. Nga ana tjetër, tre anëtarë të tjerë të kësaj gjykate, përfshi edhe kryetarin, Bashkim Dedja, Besnik Imeraj dhe Altina Xhoxhaj kanë qenë për rrëzimin e të gjitha pretendimeve të kërkuesve, duke u shprehur se ligji është në përputhje me normat kushtetuese dhe Konventën e të Drejtave të Njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat