Kush e përgjoi Saimir Tahirin në zyrën e tij?

Shqipëria

Kush e përgjoi Saimir Tahirin në zyrën e tij?

Më: 18 janar 2017 Në ora: 15:55
Ministri i Jashtëm shqiptar Saimir Tahiri

Prokuroria e Tiranës mësohet se ka pezulluar hetimet për pajisjen e përgjimit të gjetur në paradhomën e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Institucioni i akuzës, për shkak të mos gjetjes së provave që identifikon ndonjë individ të mundshëm që ka vendosur këtë pajisje, ka vendosur të pezulloi hetimet.

Burimet thanë se, edhe pse janë kryer një sërë procedurash hetimore në bashkëpunim me ekspertët e policisë shkencore dhe specialist të Policisë së shtetit, nuk janë gjetur prova që identifikojnë ndonjë individ apo person që ka vendosur pajisjen e përgjimit.

Sipas akuzës, një nga veprimet kryesore të hetimit, ka qenë edhe gjetja dhe marrja e gjurmëve nga pajisja e gjetur në aparatin e grirjes së letrave për të kryer ekzaminimin e ADN-së.

Por, laboratori nuk ka arritur të gjej gjurmë të personave të tjerë, veç ekspertit të IT-së së policisë shkencore, i cili pas gjetjes së pajisjes së përgjimit ka bërë zhvendosjen e tij nga aparati i grirëses së letrave.

Burimet saktësojnë, se nuk është gjetur ndonjë gjurmë tjetër në këtë pajisje përgjimi, e cila mbetet ende enigmë se si u vendos në paradhomën e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Nga ana tjetër sipas prokurorisë, nga kamerat e sigurisë të sekuestruara në paradhomën e ministrit dhe korridoret e këtij institucioni, nuk janë fiksuar persona të dyshimtë që mund të jenë afruar grirëses së letrave që ndodhej në paradhomën e ministrit.

Por nuk janë gjetur pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të kohës kur është vendosur letërgrirësja në paradhomë.

Sipas akuzës, ekspertët kanë ekzaminuar edhe në aspektin teknik pajisjen e përgjimit, që rezultoi se ishte një pajisje që transmeton zërin në një aparat marrës që mund të ishte vendosur në një perimetër të afërt me vendin e vendosjes së përgjuesit.

Nuk është arritur të provohet, thonë prokurorët, koha e vendosjes së kësaj pajisje dhe sa biseda mund të ketë transmetuar. Prokurorët, për llogari të këtij hetimi, mësohet gjithashtu, se veç tjerave kanë pyetur edhe sekretaren e ministrit të brendshëm, e cila nuk ka arritur të identifikoi ndonjë person të dyshuar që mund t’i ketë vendosur pajisjen e përgjimit.

hetimet për këtë dosje, kanë nisur më 18 maj, ditën kur është gjetur në paradhomën e ministrit të brendshëm pajisja e përgjimit, e vendosur në aparatin e grirjes së letrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat