Planet rregulluese, Qeveria 1 milion USD për 7 bashki

Shqipëria

Planet rregulluese, Qeveria 1 milion USD për 7 bashki

Më: 20 janar 2017 Në ora: 08:26
Gjermeni dje me kryebashkiakët

Qeveria do të ofrojë mbështetje financiare për 7 bashki në hartimin e planeve rregulluese. Kështu, brenda këtij viti Bashkia e Mirditës, Pukës, Gramshit, Belshit, Përmetit, Këlcyrës dhe Kolonjës do të kenë funksionale planet e tyre urbanistike, që do të udhëheqin më tej procesin për dhënin e lejeve të ndërtimit.

[Gjermeni dje me kryebashkiakët]Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, tha se fondi që do të vendoset në dispozicion nga Qeveria kap vlerën e 1 milion dollarëve. Në takimin e djeshëm me kryetarët e 7 prej bashkive që do të asistohen, Gjermeni apeloi për respektim të afateve.

Teksa e cilësoi të vonuar këtë proces, ministrja shprehu pakënaqësinë e saj ndaj atyre bashkive, të cilat edhe pse e kanë mbi tryezë planin rregullues, akoma nuk e kanë miratuar në këshill bashkiak, duke shkelur disa herë afatet e përcaktuara.

“Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 milionë lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në bashkitë tuaja, të cilat do t’u bashkëngjiten 26 bashkive që u mbështetën nga Qeveria gjatë vitit që kaloi. Përvoja e vitit që kaloi me këto 26 bashki ka qenë sfiduese dhe me jo pak vështirësi. Disa prej tyre ende nuk i kanë miratuar këto plane në këshillat bashkiakë, ndërkohë që nuk duhet humbur më kohë. Në punën që ju do të nisni pas pak javësh, pas nënshkrimit të marrëveshjes, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja dhe bashkëpunimi, veçanërisht sa u takon drejtorive të urbanistikës. Ajo çka nuk duhet të neglizhohet është respektimi i afateve, për të bërë të mundur që në këtë 1 vit t’u jepni bashkive tuaja planet e munguara prej 25 vitesh”, u shpreh Gjermeni.

Vitin e kaluar, nga buxheti i shtetit u ofrua asistencë për 26 bashki, përfshirë edhe Tiranën. Planet urbanistike janë korniza mbi bazën e të cilave merr jetë çdo projekt apo investim. Mbi bazën e tyre bëhet edhe lëshimi i lejeve të ndërtimit. Risi është fakti që për objektet mbi 6 kate, kërkesat do të shqyrtohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Por kjo nuk zhbën kompetencat e kryebashkiakëve, pasi do të jenë ata të cilët do ta thonë edhe në këtë rast fjalën e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat