Qeveria shqiptare blen 40 milionë euro borxh

Shqipëria

Qeveria shqiptare blen 40 milionë euro borxh

Më: 20 janar 2017 Në ora: 18:17
Ilustrim

Qeveria shqiptare realizoi me sukses ankandin e parë të obligacioneve në euro për këtë vit, duke financuar borxhin e brendshëm me 39.4 milionë euro, teksa bankat shihet të kenë ofruar gati dyfishin e kësaj shume 72.6 milionë euro me një interes 0.8%.

Obligacioni u maturua për një afat dy vjeçar dhe ashtu si edhe në dhjetorin e vitit të kaluar reflektoi një likuiditet të bollshëm të bankave në valutë.

Superoferta e bankave për të financuar me valutë borxhin e qeverisë po shkon në krah të kundërt me financimet në monedhën vendase. Që nga muaji gusht i vitit të kaluar instrumentet e borxhit në lekë për të gjitha afatet e maturimit panë një rritje të shpejtë.

Për të shmangur kostot që nga rritja e interesave qeveria iu kthye financimit në valutë edhe pse ecuria e kursit të këmbimit euro-lek mund të afektojë kostot e borxhit në vijim po aq sa edhe ndryshimi i normës së interesit.

Likuiditeti i bollshëm i bankave në euro u nxit nga depozitat në euro, të cilat shënuan rritje të ndjeshme muajt e fundit, sidomos në gusht e nëntor, ndërsa ato në lekë janë në rënie të vazhdueshme. Financat kanë njoftuar se do të blejnë sërish borxh në valutë nga tregu (bankat, institucionet e tjera financiare, por edhe individët).

Ky është obligacioni i dytë brenda pak muajsh, pas atij me vlerë 35 milionë euro, që u emetua më 30 nëntor.

Në nëntor u shënua një rritje e lartë e depozitave në valutë, në nivelin më të lartë që prej muajit gusht. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kursimeve në valutë në nëntor u rrit me rreth 40 milionë euro në raport me muajin e mëparshëm, duke arritur në rreth 3.8 miliardë euro. Në gusht, depozitat ishin rritur me bazë mujore me rreth 150 milionë euro, ndërsa muajt e tjerë kanë pasur në pjesën më të madhe rënie, ose rritje fare minimale.

Në të kundërt, depozitat në lekë në nëntor ranë me 8 milionë euro me bazë mujore, teksa individët vijojnë të zbrazin depozitat me afat në lekë, të dekurajuar nga normat e ulëta të interesit që janë afër zeros. Depozitat me afat në lekë u ulën sërish me rreth 17 milionë euro. Ato kanë vijuar tkurrjen për të 40-in muaj radhazi (që nga shtator 2013), duke u reduktuar me rreth 750 milionë euro për periudhën në fjalë.

Rënia e likuiditeteve në monedhën vendase të bankave ka çuar në një rritje të shpejtë të kostos së borxhit në lekë të qeverisë. Në ankandin e fundit të bonove 1-vjeçare Yield-i (interesi) arriti në 3.22%, nga 1.2% që ishte në gusht dhe rreth 22% në fillim të vitit të kaluar.

Më 19 janar do të zhvillohet dhe ankandi për shitjen e 4.8 miliardë lekë obligacion fiks 2-vjeçar me kupon indikativ prej 3.4%.

Në shtator 2016, borxhi i qeverisjes qendrore është në vlerën 1,067.0 miliardë lekë ose 71.04% e PBB. Në kuadër të realizimit të planit vjetor të huamarrjes dhe mbulimit të nevojave të qeverisë për likuiditet, borxhi i qeverisjes qendrore gjatë nëntëmujorit është rritur me rreth 24.7 miliardë lekë ose rreth 71% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat