Opozita gati për protesta, Basha: Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre

Shqipëria

Opozita gati për protesta, Basha: Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre

Më: 31 janar 2017 Në ora: 14:54
Lulzim Basha

Në një dalje para mediave në përfundim të takimit me ambasadorët Lu dhe Bochardt, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se koha për zgjidhje institucionale për zgjedhjet e ardhshme po mbaron.

Sipas tij nëse nuk garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme atëherë do të nisë një varg protestash.

“Dëshmia jo e një por e dy anëtarëve të kabinetit se lidhjet me krimin, Edi Rama i ka në funksion të kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve, kjo është arsyeja pse nuk pranon votimin elektronik. Nuk ka fare rëndësi çfarë mendojnë individët, zgjidhjet që kemi shtruar ne janë të diskutueshme

Koha për zgjidhje institucionale po mbaron me shpejtësi, qeveria po luan me kohën. Nuk ka vullnet. Koha po vjen për një aksion mbarë qytetar”, tha Basha.

I pyetur nëse e ka fjalën për protesta Basha e konfirmoi një gjë të tillë.

“Sigurisht, një aksion politik mbarë qytetar. PD po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve të aksioneve qytetare, për të arritur atë që kjo qeveri e korruptuar ka refuzuar ta bëjë përmes rrugës institucionale. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe opozitën do ta kenë në ballë të kësaj beteje”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat