Kumbaro e Dako raportojnë në Komision: Muri bizantin i zbuluar, nuk është betonizuar

Shqipëria

Kumbaro e Dako raportojnë në Komision: Muri bizantin i zbuluar, nuk është betonizuar

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 14:44
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Durrësit kanë raportuar sot në komisionin e Medias në lidhje me projektin e shumë debatuar Veliera në qytetin bregdetar.

Kumbaro ka deklaruar se projekti Veliera në qytetin e Durrësit është prezantuar në shtator të 2016 dhe se rregullorja e përcakton qartë se ku lejohet ndërhyrja.

“Projekti është prezantuar në shtator 2016 dhe rregullorja e përcakton qartë se ku lejohet ndërhyrja. Në zonën A lejohet rikonstruksioni i rrugëve dhe kanalizimeve. Ndërsa punimet mbikqyren nga institucione të specializuara”.

Më tej ajo ka sqaruar se ” Instituti i Arkeologjisë ka zhvilluar monitorimin periodik të punimeve në sheshin para hyrjes së portit dhe me anë të shkresës nr 68 të datës 20.012016 depozituar pranë shërbimit arkeologjik mbi vëzhgimin e këtij sheshi, Instituti i Arkeologjisë ka bërë një relacion të plotë dhe ka realizuar raportime. Ajo që konfirmohet është se nga këto gërmime nuk janë prekur shtresat arkeologjike. Gjithashtu, Instituti Arkeologjik informon se si rezultat i kërkimit arkeologjik mes drejtuesit të institutit dhe kryetarit të bashkisë janë dakortësuar për të mos kryer punime, për të mos betonuar mbi linjën gjatësore të fortifikimit antik.

Lidhur me monitorimit arkeologjik të punimeve, Kumbaro rikonfirmoi se ekziston një marrëveshje trepalëshe, mes Bashkisë së Durrësit , Institutit të Studimeve Arkeologjike, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik ku sipas saj përcaktohen qartësisht detyrimet e palëve.

Sipas Kumbaros, bëhet fjalë për një godinë të shekullit të 19-të, e cila ka pësuar rrënime në tërmetin e viteve njëzet dhe bashkia e asaj kohe, ka vendosur ta rrafshojë për të hapur atë që u quajt rruga tregtare.  Ajo tha se  në fakt, ishin gjurmët e themelet e kësaj godine.

“Me marrjen e këtij informacioni është ndërprerë menjëherë punimet e firmës. Firma është tërhequr krejtësisht. Specialistët dhe arkeologët janë në terren dhe janë në process verifikimi, dokumentimi nga ku marrin relacion të përditshëm”.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit,  Vangjush Dako u shpreh se në zonën arkeologjike po punojnë arkeologët.

“Në zonën ku është gjetur rrënoja arkeologjike po punojnë arkeologët dhe ne nuk po punojmë. Ne e konsiderojmë me fat që në ato gërmime kanë dalë pasuri të trashëgimisë kulturore të Durrësit. Jemi në dispozicion të plotë për të bërë transparentë, i kemi bërë thirrje qytetarëve dhe medias të vijnë të ndjekim gërmimet që bëhen në atë kantier, i cili është i hapur. Projekti Veliera është kundërshtuar nga shoqëria civile me arsyetimin se po shkatërrohet zona arkeologjike e Durrësit”, tha Dako.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat