Vajza e ish-drejtorit të burgut, Kaloshi: Drejtësia më vrau përsëri babanë

Shqipëria

Vajza e ish-drejtorit të burgut, Kaloshi: Drejtësia më vrau përsëri babanë

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 10:48
Vajza e ish drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Bujar Kaloshi

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për krime të Rënda, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i vajzës së ish drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Bujar Kaloshi, për vrasjen e të cilit u akuzua organizata “Hakmarrja për Drejtësi”. Në një postim në rrjetin social facebook, ajo shkruan: Me dhimbje të thellë mësova lajmin e vrasjes për herë të dytë të babait tim Bujar Kaloshi. Këtë lajm për herë të parë e përjetova 20 vite më parë, në moshën 13- vjeçare. Ndërsa mes lotëve dhe dhimbjes vrapova drejt makinës së tij për ta përqafuar ashtu siç bëja çdo mëngjes, pasi mëngjesi ishte i vetmi moment kur unë mund të lumturohesha me prezencën dhe dashurinë e tij. Kjo, për shkak të orëve të tij të gjata në pune, për të ndërtuar një shtet ligjor, të ndershëm, të meritokracisë dhe vlerave. Por, atë mëngjes gjithçka u pre në mes.

Dora kriminale ma kishte gjakosur tani me përqafimin tim, ashtu siç bëri edhe sot. Ndërsa, duart e mia, të një fëmije të mitur u mbuluan nga gjaku i pafajshëm i babait tim Bujar Kaloshi. Si mundet të rivrasësh një njeri si Bujar Kaloshi, që jo vetëm punoi me devotshmëri, përkushtim, e besnikëri, por dha edhe jetën për vendin e tij, deri në ditën e fundit, duke lënë pas tek ne fëmijët e tij një plagë të madhe. Ai shpesh thonte se "jap edhe jetën për shtetin".

Dhe e dha jetën si zyrtar i shtetit. Por, pavarësisht kësaj, krimi mbetet ende i lirë. Orët e drejtësisë janë mbuluar tani, nga orteku i madh i padrejtësive, etjes për pushtet të çakejve, krimi i organizuar, korrupsioni, droga etj. Madje, madje i tejkalojnë edhe ato të diktaturës famëkeqe. I dashur babi im, askush nuk mund të përgjak më tej rrugëtimin tonë të përbashkët drejt së vërtetës. Sikurse, s’do mund të përbaltin kurrë vlerat dhe virtytet më të mira si; ndershmëria, krenaria, fisnikëria, bujaria, drejtësia, etj. që ti rrënjosë tek ne. Sot, emri dhe gjurmët që ti ke lënë pas janë të gjalla.

Skeda e akuzave për “Hakmarrjen”

11 anëtarët e bandës akuzoheshin për një serë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura brenda një dekade, nga viti 1993 deri në vitin 2003. “Hakmarrja për drejtësi” është akuzuar për 18 ngjarje kriminale si, akte terroriste, grabitje me armë të bankave e bizneseve dhe pengmarrje.

Ngjarjet më të bujshme për të cilat u akuzua ky grup ishin: vrasja e ish-drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi, atentati me eksploziv ndaj supermarketit të kompanisë “Vefa” ku u vranë 4 persona, vrasja e Genci Sinës, shoferi i ish-prokurorit te përgjithshëm Theodhori Sollaku në vitin 2003, vrasjen e Sami Jatës te 21 dhjetori në tentative për t’i grabitur paratë që transportonte, vrasjen e Pal Prendit në grabitjen e parave të firmës piramidale Gjallica, ne Vlore, rrëmbimi i fëmijës Erjon Nushi në këmbim të të cilit u kërkuan 200 mijë dollarë, e disa grabitje bankash e biznesesh te tjera, në një total prej 18 veprash te renda kriminale.

Ndërkohë, sipas vendimit të togave të zeza, provat e sjella nga prokuroria për Leart Shytin, Orik Shytin, Altin Arapin, Pasho Novruzin, Dritan Haten, Gëzim Gjonin, Gentian Hakën, Nikolin Novruzin, Roland Shytin, dhe Kreshnik Spahiun nuk mjaftojnë për t’i dënuar. Një pjesë e provave të prokurorisë ishin shpallur të pavlefshme nga Gjykata e Lartë, e cila në mars të vitit të kaluar riktheu për gjykim dosjen në Apelin e Krimeve të Rënda. Prej më shumë se 20 vitesh, disa nga personat e akuzuar si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, jetojnë jashtë vendit dhe shumica e tyre ka përfituar azil politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat