Vila e Romana Vlahutin, Doris Pack: Turp i madh për BE-në nëse akuzat janë të vërteta

Shqipëria

Vila e Romana Vlahutin, Doris Pack: Turp i madh për BE-në nëse akuzat janë të vërteta

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 14:32
Romana Vlahutin

Deputetja e Parlamentit Eurpian gjatë një takimi në Tiranë dha një prononcim për mediat në lidhje me situatën politike në Shqipëri.

Ajo dha një mendim kritik në lidhje me vilën e ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Pack u shpreh se do të ndihej e turpëruar nëse lajmi  për vilën e ambasadores Vlahutin do të ishte i vërtetë, dhe se ky do të ishte turp për të gjithë Bashkimin Europian.

Fjala e plotë

“Kam parë dhe ndjekur me kujdes gjithmonë se çfarë ka bërë qeveria. Ju e mbani mend që kam kritikuar sa herë ka pasur diçka për t’u kritikuar, pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të vendit. Sot jam këtu sepse po diskutojmë situatën e femrave në Shqipëri dhe në rajon. Por jam gjithashtu këtu, sepse ndjej shumë keqardhje për situatën aktuale në Shqipëri. Po e ndjek me kujdes raportimin në media dhe kuptoj se sa e vështirë është situata në Shqipëri.

Ajo që kam lexuar dhe ndjekur në media më ka trishtuar. Mendoj se ka mungesë vullneti për sa i përket dekriminalizimit dhe narkotrafikut. Mendoj gjithashtu se ka mungesë shumë të madhe vullneti për të luftuar krimin e organizuar. E kam ndjekur nga afër reformën në drejtësi dhe shpresoj që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Keni gjithashtu një reformë në administratën publike dhe as këtu nuk ka ndonjë rezultat të madh. Reforma zgjedhore do duhet të arrihet dhe miratohet para zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të jenë zgjedhje në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Më vjen me të vërtetë keq kur kam parë se në ditët e fundit, personat që janë dënuar me dënim të përjetshëm apo burgim 25 vjet, janë liruar si pa të keq. Nuk arrij ta kuptoj si mund të ndodhë diçka e tillë. Për të qenë e sinqertë, do ndihesha me të vërtetë e turpëruar nëse ato që thuhen për ambasadoren e BE-së në Tiranë do ishte e vërtetë.

Nuk e di, por ajo që kam dëgjuar më ka inatosur shumë. Nëse është e vërtetë, është një turp i madh për Bashkimin Europian sepse ne ju kërkojmë juve të luftoni korrupsionin dhe krimin dhe nëse dikush prej nesh është me të vërtetë i përfshirë në diçka të tillë, atëherë për ne është një turp i madh. Për ta mbyllur, jam shumë e trishtuar kur shoh se sa e lartë është papunësia për të rinjtë.

Shumë të rinj janë larguar nga vendi juaj sepse nuk shohin asnjë të ardhme nëse qëndrojnë këtu. Nuk besoj se do preferonin të shkonin në Gjermani apo SHBA sepse ky është një vend shumë i bukur që ka nevojë për ta. Por nëse nuk ka mundësi punësimi, unë i kuptoj ata. I bëj thirrje qeveritarëve që të ndihmojnë dhe të ndryshojnë këtë situatë. Nuk mund të ketë qellim më të mirë për një politikan, sesa t’i shërbejë të rinjve në mënyrë që ata të kenë një të ardhme më të mirë.

Prandaj, ju duhet të krijoni vende të reja pune. Por nëse sistemi i drejtësisë dhe pronësia nuk është e qartë, atëherë kush do investojë këtu? Nëse askush nuk investon nuk do ketë vende pune. E di që ju doni të kopjoni atë që Gjermania apo Holanda kanë bërë me sistemin e arsimit profesional, por nëse nuk keni fabrika, ku mund të bashkëpunohet midis arsimit profesional dhe ndërmarrjeve, atëherë çfarë do ndodhë?

Ka shumë gjëra për t’u bërë për vendin, për të rinjtë por edhe për femrat në mënyrë që të hapen vende të reja pune. Kjo është diçka te e cila duhet të fokusohen të gjithë politikanët, dhe jo të fokusohen te xhepat e tyre. Ju e dini që mua më pëlqen Shqipëria, më pëlqen peizazhi, më pëlqejnë njerëzit, mikpritja juaj dhe shpresoj që ju të keni mundësinë ta bëni një vend me të vërtetë demokratik dhe një vend i cili lulëzon përherë e më shumë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat