Profesionet e lira, ndryshojnë pagat

Shqipëria

Profesionet e lira, ndryshojnë pagat

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 07:50
Ilustrim

Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar do të llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave diskutoi të hënën ndryshimet e propozuara nga qeveria në Aktin Normativ “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, i pranishëm në Komision, deklaroi para deputetëve gjatë prezantimit të këtij drafti, se parashikohet që kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar, llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale. Sipas formulës së re të rillogaritur për shkak të vendimit që mori Gjykata Kushtetuese kundër qeverisë, paga minimale e sigurimeve dhe e kontributeve shoqërore do të jetë 22 mijë lekë në muaj, ndërsa paga maksimale shkon në rreth 97 mijë lekë. Ndërkohë ligji përcakton se për çdo të punësuar paguhet 27 për qind e pagës, e cila ndahet në sigurime shoqërore dhe ato shëndetësore.

Po ashtu akti, duke iu referuar pagave minimale e maksimale për çdo ndryshim të tyre me vendim qeverie, automatikisht ai do të bazohet te to. Lista e të punësuarve Sipas zëvendësministrit Mete, i cili paraqiti formulën e re, përmes relacionit shpjegues, “personat juridikë ose fizikë, brenda dy ditëve pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, duhet të deklarojnë në organin tatimor listën e të punësuarve, pagën përkatëse, përfshirë për personin fizik edhe punonjësit e papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ata punojnë. Ndërkohë, për personat fizikë të vetëpunësuar pa punë- marrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton ligjërisht, pas regjistrimit në Qendrën Kombë- tare të Biznesit ose në administratën tatimore, ky deklarim në organin tatimor bëhet të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës, por llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore”, ka thënë Mete.

Duhet theksuar se akti normativ, vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ligjin e qeverisë për kontributet e profesioneve të lira. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese më argumentin se cenonte Kushtetutën dhe rrezikonte t’i falimentonte këto profesione duke deformuar tregun. Nevoja dhe urgjenca e këtij akti argumentohen me faktin se aktualisht nuk ka dispozita në fuqi që të përcaktojnë pagën mbi të cilën të vetëpunësuarit e çdo lloji, jo vetëm ata që ushtrojnë veprimtari në profesione, duhet të llogaritin dhe të paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Sigurimet Në skemën e llogaritjes së sigurimeve dhe kontributeve shoqërore do të përfshihen dhe familjarët. Për të mos u gjobitur nga administrata tatimore, administratorët do të duhet të deklarojnë në zyrat e punës emrat e familjarëve. Po ashtu duhet dhe të paguajnë kontributet shëndetësore dhe shoqërore. “Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar, llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për punonjësin e papaguar të familjes llogariten mbi pagën minimale në shkallë vendi, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Po ashtu në ligjin e ri janë parashikuar dhe rastet e ndërprerjes së aktivitetit. Për këtë sigurimet do të llogariten deri në ditën kur aktiviteti mbyllet në qendrën kombëtare të regjistrimit apo kalon në statusin pasiv. “Kur veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit fillon, ndërpritet, përfundon apo kalon në regjistrin pasiv gjatë një muaji, llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore bëhet në bazë të pagës për ditët e punuara për muajin”, thuhet në vendim.

Kush preket

Profesionet e lira, që preken nga akti normativ janë, të gjithë tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike të tillë si: farmacist, programues IT, vlerësues i pasurisë, avokat, noter, përmbarues, konsulent në fushën ekonomike, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar, arkitekt, inxhinier, projektues, agronom, përkthyes, veteriner, mësues (mësimdhënie), trajnues në veprimtari të ndryshme në kulturë, art dhe sport, mjek i përgjithshëm, mjek i specializuar, dentist, fizioterapist dhe ndërmjetëse në një proces gjyqësor. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat