Idrizi-Veseli diskutojnë për bashkëpunim më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë

Shqipëria

Idrizi-Veseli diskutojnë për bashkëpunim më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 15:55
Pamje nga takimi i Veselit me Idrizi

Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë njëkohësisht kryetari i Partisë, Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi zhvilloi sot një takim me kreun e Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në takim u diskutua për bashkëpunimmë të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në ekonomi dhe për integrimin e dy vendeve në Bashkimin Europian. Në takim merrnin pjesë përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda, N/Kryetarët e PDIU-së, Halil Hyseni dhe Abaz Hado dhe Kryetarja e Forumit të Gruas së PDIU-së, Vjollca Braho

Kryetari i PDIU-së u shpreh pas takimit se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen edhe më shumë.

“Ishte një takim shumë i frytshëm dhe vllazëror. Jam i bindur që vizita e z.Veseli në Tiranë do të shërbejë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës, si një komb në dy shtete të ndryshme, të forcohen akoma dhe më shumë. Ndamë shumë gjëra të përbashkëta për forcimin e shtetit të Kosovës, institucioneve të saj. Diskutuam për mundësitë e madha dhe potencialin që ekziston midis dy vendeve tona në ekonomi, në arsim, por edhe në art e kulturë. Sigurisht duke tentuar që kufijtë tanë, t’i bëjmë kufij imagjinar. Duhet të kemi një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik si dhe të hiqen të gjitha barrierat midis nesh”, u shpreh Idrizi.

Nga ana e tij kreu i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, vlerësoi rolin e Shqipërisë për integrimin e Kosovës. Në takim u propozua ngritja e Muzeut të Memorjes së Krimeve të luftës serbe në Kosovë, siç është Holokausti për hebrenjtë, që t’i kujtojë botës të vrarët dhe të zhdukurit në Kosovë.

“Z.Idrizi i ka dhënë një përkrahje shumë të veçantë Republikës së Kosovës, pikërisht në atë vend ku nuk ka arritur të dëgjohet zëri i institucioneve të Kosovës, në Këshilin e Evropës, raporti i Dik Martit, Kemi biseduar shumë ngrohtësisht për sfida të cilat ne na presin, si dy vende të pavarura, në integrimin tonë euroatlantik. Kemi diskutuar edhe për promovimin e identiteteve tona, në të njëtën kohë në interesa tona të përbashkëta që kemi në këtë rrugëtim. Shqipëria është një përkrahje shumë e fuqishme për Kosovë në suksesin e integrimit europian. Vlerësoj rolin e shqiptarëve të Çamërisë për përkrahjen që kanë dhënë për Kosovën”, u shpreh kreu i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli.

Gjithashtu Idrizi theksoi se PDIU e ka çështjen kombëtare në qendër të vëmendjes të programit të saj dhe i ndjek me vëmendje e ndjeshmëri të madhe zhvillimet në Kosovë. Kreu i PDIU-së vlerësoi qëndrimin e Kosovës për sa i përket orjentimit gjeopolitik drejt alenacës me SHBA-në dhe partnerët e tjerë perëndimorë.
Për sa i përket bashëkpunimit ekonomik Idrizi dha një shembull konkret se si mund të afrohen më shumë dy vendet. “Nuk do ishte ide e keqe, që dy Qeveritë të mendojnë për investime strategjike të mëdha si për shembull në fushën energjitike. Konkretisht Shqipëria ka nevojë për energji elektrike në verë kur nuk ka ujë për hidrocentralet dhe mund të bëhet pjesë e investimeve në termocentralin Kosova C dhe anasjelltazi, Kosova mund të bëhet pjesë e projektit të hidrocentralit të Skavicës. E njëjta mund të vlejë për një port të madh të përbashkëtnë në bregun Adriatik”, theksoi Kryetari i PDIU-së.

Në takim është diskutuar edhe për zhvillimin e turizimit mes dy vendeve. Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë tha se do t’i kërkohet Ministrisë së Arsimit që të organizojë vizita të nxënësve në Kosovë, për të njohur qytetet, monumentet, e vend-ngjarjet kryesore. Gjithashtu z.Idrizi theksoi se duhet më shumë angazhim dhe rakordim nga Tirana zyrtare dhe Prishtina, për të ndërtuar një frymë konstruktive bashkëpunimi tek shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. “Fragmentimi partiak në Mal të Zi, Preshevë dhe së fundmi në Maqedoni ka bërë që shqiptarët të mos kenë përfaqësimin parlamentar që meritojnë në këto shtete”, tha kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, i cili vlerësoi platformën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni.

Në fund të takimit z.Veseli e ftoi kryetarin e PDIU-së për një vizitë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat