Totozani pret deputetë nga Kosova: Ruajtje pavarësisë së institucionit

Shqipëria

Totozani pret deputetë nga Kosova: Ruajtje pavarësisë së institucionit

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 19:18
Totozani me deputetet

Avokati i Popullit,  Igli Totozani, priti në një takim të veçantë, një delegacion zyrtar me deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim u diskutua mbi mënyrën e funksionimit të institucioneve të pavarura, në dy vendet tona, me fokus respektimin e të drejtave të njeriut.  Totozani tha se: “Më e rëndësishmja në këtë detyrë është ruajtja e pavarësisë reale të institucionit, si dhe rritja e besimit të qytetarëve ndaj tij”.

Gjithashtu, Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani, u shpreh se ndihet mjaft i kënaqur nga kapërcimi i sfidës për pranimin e Ombudsmanit të Kosovës, si anëtar me të drejta të plota në Organizatën e Ombudsmanëve të Mesdheut, (AOM), ku është President.

Totozani theksoi raportet e shkëlqyera me homologun kosovar, duke kërkuar nga ana e parlamentarëve të Kosovës, që të ushtrojnë ndikimin e tyre për forcimin dhe mbështetjen e këtij institucioni.

Avokati i Popullit,  Totozani u shpreh i gatshëm për të ofruar asistencën e institucionit për hartimin e ligjit për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve në Kosovë, ndërsa sugjeroi si mjaft të rëndësishëm hartimin e këtij ligji në linjën e Parimeve të Parisit. Po kështu, Totozani konfirmoi gadishmërinë për ofrimin e ekspertizës edhe për hartimin e ligjeve të tjera, që lidhen me të drejtat e njeriut në Kosovë.

Në takim pati interes edhe njohja me strukturën e funksionimit të institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe zbatimi i rekomandimeve të këtij institucioni të pavarur kushtetues.  Përtej problemeve,  Totozani tha se rekomandimet e Avokatit të Popullit gjatë këtyre 5 viteve janë reflektuar në më shumë se 30 ligje të rëndësishme, si  në Kodin e Familjes, në Kodin e Punës, atë penal apo në ligjin e ri për hapjen e dosjeve. “Së fundi – tha z. Totozani – në ligjin për strehimin është marrë parasysh rekomandimi ynë, që 5 % e banesave sociale t’u jepet popullsisë rome dhe egjiptiane”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në fund të takimit, në Qendrën e Dokumentacionit për të Drejtat e Njeriut, morën edhe disa prej botimeve dhe Raporteve të Veçanta dhe atyre Vjetore, që Avokati i Popullit ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, plot 34 të tilla në 5 vitet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat