Basha me naftëtarët: Buka e popullit do t’i ngecë në fyt Ramës e Metës

Shqipëria

Basha me naftëtarët: Buka e popullit do t’i ngecë në fyt Ramës e Metës

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 11:44
Lulzim Basha me protestuesit

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ia ka kushtuar ditën e sotme të protestës, naftëtarëve dhe problemeve të mëdha të tyre. Dhjetra naftëtarë kanë hyrë në çadrën ku po mbahet protesta përpara Kryeministrisë. 

Basha tha: "Rama do të dështojë me turp dhe populli do të fitojë. Nuk ka pazar për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo që ka nisur nuk do të ndalet. Unë jam ushtar i kësaj kauze deri në fitoren e saj. Unë nuk do të bëhem pjesë e asnjë pazari. Buka e popullit do t’i ngecë në fyt Ramës e Metës."

Kjo pasuri kombëtare e shqiptarëve ka një vlerë në treg sot prej 350 milionë dollarësh në vit. Ka pasur vite kur kjo vlerë ka shkuar deri në 600 e 700 milionë dollarë.

Nafta e shqiptarëve që nxirret me mundin dhe sakrificën e mijëra naftëtarëve, por që sot janë braktisur, janë pa njohje të viteve të punës, të tallur e të dëshpëruar, ndodh sepse këto qindra milionë dollarë që nxirren nga nafta shqiptare nuk shkojnë për rrogat e naftëtarëve, për shkollimin e fëmijëve të tyre, për arsimin e tyre.

E keni parë sistemin shëndetësor në Fier? Për faqe të zezë si në të gjithë Shqipërinë.

I keni parë shkollat në Fier, Ballsh, Roskovec?!

I keni parë baballarët, nënat duke kaluar tërë jetën në sektorin e naftës, tek jetojnë me pensione qesharake.

Me mijëra të rinj enden rrugëve në Fier, Ballsh, Roskovec pa punë sepse një grusht derrash vjedhin djersën dhe lekët e shqiptarëve.

Këta derra hajdutë që vjedhin gjakun dhe djersën e shqiptarëve kanë frikë nga zgjedhjet e ndershme; kanë frikë nga gjykimi i shqiptarëve, i naftëtarëve, gjykimi i drejtë i popullit me votë dhe kjo është arsyeja pse me lekët që vjedhin nga nafta duan të blejnë zgjedhjet e ardhshme që të jenë ata që të kontrollojnë bursat e naftës, që të emërojnë drejtorët e Albpetrolit, që të bëjnë pazare dhe allishverishe me Bankers.

Unë jam këtu sot me ju dhe do të jem deri në fitore sepse jam i vendosur që me fitoren e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të mos bëjmë vetëm një rotacion politik, por të hapim një kapitull të ri për demokracinë shqiptare ku pushtetin do ta keni ju, ku naftëtarët nuk do të jenë më të braktisur e të harruar, jo më në tutelën e oligarkëve por me dinjitet dhe bashkë me vendimarrësit e naftës shqiptare.

Jam këtu për të thënë se kjo lëvizje e madhe popullore nuk do të mund të përfundojë pa siguruar që qeveria e ardhshme do t’i bindet vetëm zërit tuaj, vetëm vullnetit tuaj, iu shërben vetëm ju, naftëtarëve e qytetarëve të Fierit dhe Shqipërisë dhe jo derrave dhe hajdutëve të korruptuar.

Nafta, mineralet, pasuritë e këtij vendi do t’u kthehen shqiptarëve vetëm kur të kemi një qeveri të dalë nga vota e ndershme ndaj po luftojmë sot, jo për mua, jo për Lulzim Bashën, jo për PD, por për qytetarët që ju të jeni sovrani 365 ditë në vit.

Dua ta them me zë të lartë dhe t’ju garantoj se askush siç nuk ka vend në këtë çadër për politikanë të korruptuar, ashtu edhe nesër në qeverinë e re nga vota juaj nuk do të ketë vend” deklaroi Basha. 

Bashkëbisedimi është zhvilluar ditën kur edhe grevistët e fshatit Zharrëz kanë vendosur të lënë ambientet e grevës së urisë në fshatin e tyre dhe t’i bashkohen tubimit nga e gjithë Shqipëria që kërkon një qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira parlamentare më 18 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat