Basha: Qeveria ose do të largohet me dialog, ose do të rrëzohet!

Shqipëria

Basha: Qeveria ose do të largohet me dialog, ose do të rrëzohet!

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 21:46
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha të enjten se ka vetëm dy rrugë për qeverinë Rama, ose të largohet me dialog politik ose të rrëzohet.

“Dy rrugë ka, ose do të largohet si pjesë e një dialogu politik, ose do të rrëzohet nga qytetarët e bashkuar,” tha Basha, duke shtuar se ftesa e tij për ti dhënë fund maskaradës së zgjedhjeve të blera është ndaj çdo force politike dhe veçanërisht ndaj partive që janë sot në qeverisje.

“Unë do të qëndroj këtu deri në fitoren e kauzës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimi i kësaj qeverie dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Basha tha të enjten në “Opinion” se ata nuk janë në shesh për të risjellë në pushtet ata që ikën me votë të lirë në vitin 2013.

“Kjo nuk është një lëvizje për të sjellë në pushtet ata që u larguan me votë në vitin 2013,” tha Basha, duke premtuar jo thjeshtë një rotacion politik por ndryshim kastash.

“Kjo republikë që po përmbyset do të zëvendësohet me një republikë të qytetarëve shqiptarë dhe kjo do të arrihet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” tha Basha.

“Këtu flasin qytetarët dhe vendosin qytetarët,” tha Basha, duke folur në një intervistë në studion e “Opionion” të improvizuar në shesh, pasi Kryetari i Partisë Demokratike nuk pranoi të shkonte në studion e “Opinion” në televizion Klan dhe të linte protestën.

Partia Demokratike ka nisur një protestë të shtunën dhe vazhdon të mbetët në sheshin para kryeministrisë prej gjashtë ditësh. Basha ka deklaruar se Partia Demokratike do të bojkotojë parlamentin për sa kohë protestuesit vazhdojnë të jenë në shesh në kërkim të dorëheqjes së Ramës dhe formimit të një qeverie teknike si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nuk do ketë Shqipëri në normalitet deri sa kjo qeveri të largohet, protesta ka filluar të shtrihet gjerësisht.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se deri tani duket si një organizim i Partisë Demokratike, sesa një protestë e qytetarëve, Basha u shpreh: 

Nuk jeni informuar, organizimi është i PD, pjesëmarrja është e qytetarëve, këtu ka pasur naftëtarë, studentë, ka pasur gjimnazistë, përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, të cilët tejkalojnë kufijtë e një organizimi partiak, ky është sheshi i lirës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat