Llalla dorëzon në KQZ dosjen e Prengës, kërkon mandatin

Shqipëria

Llalla dorëzon në KQZ dosjen e Prengës, kërkon mandatin

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 09:26
Adriatik Llalla

Mandati i deputetit, Armand Prenga, përveçse është kthyer një çështje ligjore, është shndërruar dhe një përplasje serioze mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba. Kreu i KQZ-së, pas mbledhjes së të premtes i kërkoi Prokurorisë dokumente shtesë për të argumentuar kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Prenga.

Gjatë paradites së shtunë, Prokuroria e Përgjithshme më shumë sesa një përgjigje, i ka dërguar KQZ-së dhe kryetarit të saj faktin që provën kryesore për ndërprerjen e mandatit tashmë e kishte në dosje. Sipas prokurorisë, mjafton vetëm fakti që Prenga nuk ka deklaruar një vendim penal ndaj tij të Gjykatës së Kurbinit, që atij t’i ndërpritej menjëherë mandati.

Përveç kësaj, Prokuroria i kujtoi KQZ-së, se ka vetëm 10 ditë kohë për shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me mandatin e deputetit Prenga dhe se kjo kohë ka filluar që nga data 15 shkurt, kur i ka dërguar kërkesën për ndërprerjen e mandatit dhe këtë të shtunë ky afat ligjor, sipas prokurorisë përfundoi. Nëse KQZ nuk merr një vendim brenda afatit ligjor, atëherë Prokuroria i drejtohet Parlamentit dhe me kërkesë të 1/5 të deputetëve, çështja i kalon Gjykatës Kushtetuese.

Pas kësaj përgjigje të Prokurorisë, KQZ deri në mesditën e së shtunës nuk dha asnjë reagim. “Sot komunikimi im për media është një komunikim që ka të bëjë me auditët. Lidhur me këtë unë nuk kam dijeni. Në momentin që do të kem informacion, do të komunikojmë sërish”, tha zëdhënësja e KQZ-së. Por në orët e pasdites Komisioni Qendror njoftoi se pas përgjigjes së Prokurorisë, Komisioni do të mblidhet mesditën e së hënës për të diskutuar për mandatin e deputetit Prenga. Sipas njoftimit lihej të kuptohej se mbledhja formalisht nuk kishte mbaruar, por vetëm ishte shtyrë për këtë pikë të fundit ditën e hënë.

Pak ditë më parë Prokuroria njoftoi se kishte hapur procedim penal ndaj KQZ-së, pasi institucioni që është përgjegjës për dekriminalizimin, sipas akuzës, kishte penguar zbatimin e tij pikërisht për listën ku përfshihet edhe rasti i Armando Prengës. Mandati i deputetit nga lezha mund të përbëjë një pikë interesante edhe në lëvizjen e ekuilibrave të brendshme të mazhorancës, pasi sipas të gjitha gjasave, nëse Prenga ikën nga Parlamenti, mandati i tij i kalon Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat