Meta: Mbështesim propozimet e LRI për maturën shtetërore

Shqipëria

Meta: Mbështesim propozimet e LRI për maturën shtetërore

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 12:53
ilustrim

Kryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në Konventën e Gjimnazistëve të LRI-së së Elbasanit. Të pranishëm ishin edhe Sekretari për Programin në LSI, Edmond Haxhinasto, Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, etj.

Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, Meta, duke folur për Maturën shtetërore, tha se duhet një administrim më transparent në mënyrë që procesi të bazohet në meritokraci e gjithëpërfshirje.

Kryetari i LSI-së theksoi se Shqipëria kë nevojë për energji pozitive dhe për një edukim më të mirë e cilësor për të rinjtë.

“Unë mbështes plotësisht të gjitha propozimet e LRI-së për një administrim më transparent të maturës shtetërore dhe të aplikimeve për universitet në mënyrë që ky proces të jetë i pagabueshëm, dhe të bazohet fuqimisht dhe vetëm në transparencë, në gjithëpërfshirje dhe në meritokraci. Ajo që na duhet është energjia pozitive, është bashkëpunimi, është një edukim më i mirë dhe më cilësor për të rinjtë tanë, është një formim profesional, dhe është mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik në çdo vendim të rëndësishëm që politikanët marrin në Tiranë dhe në Elbasan”, – tha Meta.

Meta shprehu keqardhjen që politika shqiptare vë në diskutim ende zgjedhjet dhe standardet e zgjedhjeve pas 26 vjetësh në një vend anëtar të NATO-s, kandidat për në BE.

“Në një politikë që për fat keq mbush parlamentin dhe shumë institucione të tjera ku duhet të ketë njerëz me integritet dhe jo njerëz me probleme me të kaluarën kriminale e kështu me radhë. Ndaj e vetmja zgjidhje është të gjithë të rinjtë e të rejat e Elbasanit të bëhen bashkë për t’i rikthyer traditat më të shkëlqyera këtij qyteti, në radhë të parë qytetarin, dashurinë dhe përkushtimin për dijen, për arsimin dhe njëkohësisht për të rritur kapacitetet tuaja për ta ndryshuar të ardhmen”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.

Ndërsa, deputetja e LRI-së, Monika Kryemadhi, tha në fjalën e saj se me këta të rinj dhe të reja, që ka Elbasani dhe Shqipëria, të cilët kanë dëshirë për të ecur përpara dhe për të zhvilluar vendin e tyre, çdo gjë është e mundur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat