Vetingu, Avokati i Popullit dorëzon në Kuvend listat e kandidatëve: Të hënën mblidhet seanca

Shqipëria

Vetingu, Avokati i Popullit dorëzon në Kuvend listat e kandidatëve: Të hënën mblidhet seanca

Më: 4 mars 2017 Në ora: 07:06
Parlamenti i Shqipërisë

Avokati i Popullit dorëzoi pasditen e së premtes në Kuvend listat e kandidatëve që aplikuan për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar(vetting-ut) të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Gjithashtu, AP i përcolli Kuvendit dhe rekomandimet e hartuara nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

Pas kësaj u njoftua zyrtarisht mbledhja e parlamentit pasditen e së hënës në seancë plenare, për të miratuar dy projektvendime, që do i hapin rrugën ngritjes së komisioneve, që do kryejnë procesin e vetting-ut.

“Projektvendim “Për procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve ad hoc dhe realizimin e procesit të votimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë) si dhe Projektvendim “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)”, janë në rendin e ditës.
Zyra e shtypit e Avokatit të Popullit njoftoi sot se 193 kandidatë aplikuan për 27 vendet vakante për organet e vetting-ut.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, në përfundim të kësaj procedure vlerësoi ekspertët e ONM-së, që monitoruan ekspertët e Avokatit të Popullit, në procesin e vlerësimit të dokumentacionit të secilit prej kandidatëve, dhe po ashtu përshëndeti dhe vlerësoi mbështetjen e ofruar nga SHBA dhe Bashkimi Europian, në këtë proces tejet të rëndësishëm për Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat